Lajme

Rexhaj: Dhuna në shkollë, rezultat i politizimit primitiv 25-vjeçar të arsimit

02/10/2026 07:33
nga:Y I

Ish-zëvendësministri i Arsimit, Xhavit Rexhaj, ka thënë se dhuna në shkollë është rezultat i politizimit 25-vjeçar të arsimit.

Rexhaj ka reaguar pasi një mësimdhënës në shkollën fillore “Pavarësia” në Prishtinë është ndaluar për 48 orë për sulm ndaj nxënësit. E nga psikologu i shkollës, Nazmi Mahmuti, u tha se mësimdhënësi ishte sulmuar nga 10 nxënës dhe se videoja që ka qarkulluar ka qenë vetëm fundi i ngjarjes.

“Në rastin e sotëm të dhunës në shkollë viktimë janë si mësuesi, por edhe nxënësit! Janë viktima të një sistemi të përçudnuar arsimor! Një sistemi të përçudnuar e të përdhunuar nga politizimi i arsimit prej një çerek shekulli! E politizimin e kanë bërë për këto 25 vjet mbi të gjithë kryetarët e komunave për llogari të partive, grupeve e klaneve politike – me qëllimin e vetëm të fitimit të votave në zgjedhjet e favoreve politike!” – ka shkruar Rexhaj në Facebook. “Këta janë viktima të një veprimtarie sistematike anti-arsimore nga bajraktarë e militantë të të gjitha partive! Ashtu siç kanë qenë viktima edhe prindërit e nxënësit e Kamenicës para disa vitesh! Ashtu siç janë viktima të gjithë nxënësit e mësuesit që konfliktohen sot pa e ditur as vet se si u ndodhën në një konflikt”.

Rexhaj ka thënë se në vend se të krijohen kushte të mira pune në arsim, janë punësuar votuesit potencialë, militantët dhe sebepët e ndryshëm.

“Sot mbi 90% e buxhetit të arsimit parauniversitar shkon për paga – domethënë për përfitime politike! Do të duhej të ishte 55-60%”, ka shkruar Rexhaj.

Rexhaj ka thënë se në vend se të punësohen psikologë, pedagogë, punëtorë socialë e këshilltarë karriere që do të merreshin me mirëqenien e nxënësve, janë punësuar më shumë mësimdhënës.

Ai ka thënë se problemet ndalen kur trajtohen shkaqet e vërteta të problemit. Ka thënë se duhet të depolitizohet arsimi dhe se “punësimet në arsim të bëhen nga komuniteti dhe shkolla e jo nga politikanët”.

Ka thënë se duhen përforcuar shërbimet profesionale në shkolla, si psikologu, pedagogu, shërbimi social, këshilltari në karrierë dhe koordinatorët e klubeve. Të ketë prani të dukshme të policisë rreth shkollave dhe e sigurimit në shkollë.

Të bëhet furnizimi i shkollave me të gjitha pajisjet e materiale mësimore që shkollat të bëhen me platforma më të zhvilluara teknologjike.

Shkollat të bashkëpunojnë me policinë, shërbimet sociale, prindërit dhe organizatat joqeveritare dhe ato të ndihmojnë e trajtojnë me prioritet dhunën në familje, familjet e çrregulluara, bulëzimin e gjërat tjera që pengojnë shkollimin e duhur të fëmijëve.

Të bëhet po ashtu i lejuar pensionimi i hershëm i mësimdhënësve mbi 60 vjeç, pensionimi invalidor i mësimdhënësve me sëmundje kronike, ritrajnimi i mësuesve tepricë për të punuar me fëmijë të moshave 3-6 vjeç.

“Në fund, shteti duhet ta ndërpresë menjëherë këtë cilës të së keqës. Kjo nuk arrihet me improvizime, me amaterizëm, me joseriozitet. Puna për zhvillimin e fëmijëve tanë është misioni më i shenjtë i shtetit të Kosovës. Nuk guxojmë të humbim asnjë minutë më shumë. Përndryshe, nesër të gjithë do të jemi viktima!” – ka shkruar Rexhaj.