Ndaj kërkesës së Prokurorisë së Specializuar në Hagë ka reaguar edhe ish-hetuesja e Tribunalit për Ish-Jugosllavinë, Nevenka Tromp, e cila ka vlerësuar se prokurori ka tejkaluar pozitën e tij dhe barrën e provave.
Ajo ka shtuar se kërkesa për 45 vjet burg për Hashim Thaçin dhe të tjerët përbën, sipas saj, një dënim de-facto të përjetshëm.
Ish-hetuesja e Tribunalit të Hagës, Nevenka Tromp, e vlerëson kërkesën e Prokurorisë për 45 vjet burg për secilin nga ish-krerët e UÇK-së si një ndjekje të tepruar, që tejkalon barrën e provave në dispozicion. Sipas saj, mungesa e provave shpesh kompensohet me kërkesa të tepërta për dënime me burgim.
“E dini, kur punoni në botën akademike, një prej ligjeve të para që mësohet është që çdo gjë që ka ndodhur, duhet të jetë e mundur, pra gjithsesi që është e mundur. Por, për ne ka shumë më shumë rëndësi të shohim nëse ka krahasime midis asaj që ka ndodhur sot në Gjykatën Speciale të Kosovës dhe të tjerave. Po, analogjia dhe krahasimet mund të bëhen midis tribunaleve të ish-Jugosllavisë, ndjekjes penale të Tihomir Bllashkiq, që ka qenë oficer i ushtrisë kroate në Bosnjë, e ashtuquajtur ‘HVO’. Ai kishte mbajtur de jure pozicion në atë ushtri. Ai ishte akuzuar për krime midis viteve 1993-1994, në Bosnjën qendrore, si dhe ishte portretizuar si krye-arkitekti i dhunës kriminale me shënjestër myslimanët e Bosnjës. Pra, prokuroria kishte kërkuar 45 vjet burgim në rastin e tij, e pastaj, e dini çfarë kishte ndodhur në Apel? Dënimi prej 45 vitesh burgim ishte zbutur në 9 vjet, si dhe ishte liruar gati menjëherë pas seancës së apelit. Kështu, ky është një rast klasik i tej-ndjekjes (over-prosecution), prokurori e ka tejkaluar pozitën e tij, barrën e provave, si dhe fatmirësisht, dhoma e apelit e kishte konstatuar këtë gjë, si dhe dënimi ishte tkurrur në 9 vjet”, tha ish-hetuesja e Tribunalit të Hagës.
Sipas Tromp, rasti Bllashkiq përbën këndvështrimin më të mirë historik për të kuptuar situatën aktuale, pasi ndjekja e tepruar ishte rrëzuar nga Dhoma e Apelit e Tribunalit për Ish-Jugosllavinë.
Ish-hetuesja Tromp deklaroi se ka dy mesazhe për Kosovën. Së pari, kërkesa për 45 vjet burg për Thaçin dhe të tjerët është de-facto dënim i përjetshëm, pasi të akuzuarit janë të moshës 60 deri në 70 vjeç.
“Kjo kërkesë për 45 vjet burgim nuk do të thotë që Dhoma Gjykuese do ta pranojë si të tillë, sepse ende duhet të presim për argumentet e palës mbrojtëse, pra mënyrës se si do të ndërtohet argumenti i mbrojtjes para gjyqtarëve. Megjithatë, nëse Dhoma Gjyqësore pajtohet me prokurorinë, si dhe shqipton në fakt atë dënim prej 45 vitesh burgim, duhet ta dimë që nuk është ligji në pyetje, ka diçka prapa ligjit, e kjo është demonstrimi i fuqisë, që të mos flasim për fuqinë e kujt apo se si demonstrohet ajo. Dhoma e Apelit pastaj do të ketë një detyrë tejet të rëndësishme, që ta testojë të drejtën, e pastaj në rast se edhe Dhoma e Apelit vazhdon duke mos e hedhur poshtë e refuzuar atë dënim të mundshëm prej 45 vitesh, kjo përfundimisht do të thoshte që kjo gjykatë, Dhoma e Specializuar e Kosovës, nuk është gjykatë e rregullt, si dhe që ky lloj dënimi nuk është në pajtim me praktikat që kemi parë në Tribunalin për ish-Jugosllavinë, Tribunalin për Ruandën, si dhe tribunalet tjera ndërkombëtare. Pra, janë edhe 2-3 vjet më tutje, për të parë se çfarë lloji drejtësie do të prodhojë kjo gjykatë”, tha ajo
Tromp ka krahasuar gjithashtu dënimet e shqiptuara nga Tribunali për Ish-Jugosllavinë për krimin e gjenocidit në Bosnje e Hercegovinë, duke përmendur rastet e Ratko Mlladiqit dhe Radovan Karaxhiqit, të cilët, sipas saj, vetëm për gjenocid janë dënuar me burgim të përjetshëm. Ajo theksoi se masa e dënimeve të kërkuara aktualisht është larg praktikës së ndjekur nga tribunale të tjera ndërkombëtare.
Sipas Tromp, asnjë standard i tillë nuk përbën praktikë të rregullt të Prokurorisë kur bëhet fjalë për ashpërsinë e dënimit që po kërkohet.


