Lajme

Ramabaja: “Kemi dështuar si dy shtete, Kosovë e Shqipëri – procesin në Hagë ia lamë individëve”

02/09/2026 22:25
nga:G B

Analisti Sadri Ramabaja, në emisionin Debat Plus në RTV Dukagjini, ka deklaruar se Kosova dhe Shqipëria kanë dështuar si shtete, pasi procesin gjyqësor në Hagë e kanë lënë në barrë të individëve.

Ramabaja këto komente i ka bërë pas fjalës përfundimtare të Prokurorisë Speciale të Gjykatës me seli në Hagë, ku u kërkua dënim me gjithsej 180 vite burgim për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

“Për mua është shumë e qartë se kjo është një dëshmi dhe ka më shumë karakter politik sesa karakter profesional”, ka thënë Ramabaja.

Ai ka shtuar se kërkesa e Prokurorisë është në kundërshtim edhe me Kodin Penal të Kosovës, në emër të të cilit po zhvillohet gjykimi. “T’i bësh kërkesa në kundërshtim edhe me Kodin Penal të Kosovës dhe t’i rrumbullakosh vitet e burgut, duke i krahasuar thuajse me të gjithë të dënuarit nga Serbia që kanë ushtruar dy gjenocide dhe katër luftëra e të tjera, është thjesht një veprim shumë më tepër politik, po e përsëris, sesa profesional”, ka deklaruar Ramabaja.