Ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, në një lidhje direkte në emisionin FIVE në RTV Dukagjini, ka folur edhe për kërkesën e Prokurorisë Speciale me seli në Hagë për dënim me nga 45 vjet burg për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, gjatë fjalës përmbyllëse të sotme.
Hasani është shprehur se nga ajo që ka parë dhe dëgjuar sot nga Zyra e Prokurorit, ai nuk mbetet as i befasuar dhe as i çuditur.
“Nuk mbes as i befasuar e as i çuditur, ngase kjo Dhomë e Specializuar ka cenuar, ka shkelur çdo standard i cili është i etabluar kaherë në të drejtën penale ndërkombëtare”, ka thënë ai.
“Ne që jemi juristë e dimë që është parim, është standard fundamental në të drejtën penale që të aplikohet ligji i cili ka qenë në fuqi në kohën kur janë kryer veprat penale. Ndërsa ligji i mëvonshëm mund të aplikohet vetëm në situatat kur ai është më i favorshëm për të pandehurin”, ka theksuar Hasani.
Ai shtoi se ekzistojnë disa kritere që e përcaktojnë se cili ligj është më i favorshëm për të pandehurin.
“Kur kemi të bëjmë me një situatë ku merret periudha kohore në të cilën akuzohen të pandehurit në Hagë, është periudha 1998, 1999 dhe 2000, atëherë kur në fuqi ishin ligje të tjera – Ligji Penal i Jugosllavisë që aplikohej, i cili i përmbante këto vepra penale kundër të drejtës ndërkombëtare dhe dënimi maksimal ishte dënimi me vdekje ose burgim deri në 20 vjet”, ka thënë ai.
Hasani ka rikujtuar se në vitin 2000, me rregullore, ishte ndryshuar kjo pjesë ligjore.
“Në vitin 2000, Kushneri e kishte ndryshuar këtë pjesë me rregullore, duke e hequr dënimin me vdekje dhe duke e përcaktuar vetëm dënimin kohor, ashtu që dënimi kohor kishte mbetur në fuqi deri në 15 vjet”, ka sqaruar ai.
Sipas Hasanit, kjo e bën të pamundur shqiptimin e një dënimi më të lartë sesa ai që ishte paraparë në kohën kur pretendohet se janë kryer veprat penale.
“Do të thotë, në asnjë mënyrë nuk mund të shqiptohej dënim më i madh sesa ai që parashihej në kohën ose periudhën për të cilën akuzohen krerët e UÇK-së se kinse i kanë kryer veprat penale për krime lufte”, ka përfunduar Hasani.


