Lajme

Kamberi kërkesa për dënimin e krerëve të UÇK-së është njollosje e luftës çlirimtare

02/09/2026 18:27
nga:G B

Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka reaguar ndaj kërkesës së Prokurorisë Speciale për t’i dënuar me nga 45 vite burgim secilin nga krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Përmes një reagimi në rrjetin social, Facebook, Kamberi e cilësoi këtë kërkesë si të pabazë dhe si një përpjekje të qartë për të njollosur luftën çlirimtare të Kosovës dhe popullin shqiptar në përpjekjen e tij për liri dhe pavarësi.

Ai theksoi se Prokuroria Speciale nuk synon vetëm dënimin e individëve, por tenton të dënojë sakrificën dhe angazhimin e shqiptarëve të Kosovës për lirinë dhe të drejtat e tyre themelore, duke u përballur me regjimin kriminal të Sllobodan Millosheviqit.

“Nëse vërtet synohet vendosja e drejtësisë, atëherë dënime kaq të rënda do të duhej të kërkoheshin për ata që projektuan dhe zbatuan politikat e dhunës dhe spastrimit etnik, për ata që edhe sot udhëheqin me Serbinë, e jo për çlirimtarët e Kosovës. Për çlirimtarët e Kosovës janë shumë edhe 45 ditë burgim, e lëre më 45 vite. Vendi i tyre është në Kosovë, pranë familjeve të tyre, në mesin e popullit që e mbrojtën dhe për të cilin u sakrifikuan. Vendi i tyre nuk është pas grilave të burgut”, shkroi ai ndër tjerash.