Lajme

Hoxhaj: Historia nuk mund të rishkruhet sipas narrativës së agresorit apo burokratëve në Bruksel

02/09/2026 16:28
nga:G B

Pas kërkesës së Prokurorisë Speciale në Hagë për dënime deri në 180 vjet burg për ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka reaguar fuqishëm në rrjetin social Facebook.

Hoxhaj e ka cilësuar kërkesën si “një ndërhyrje politike brutale që synon rishkrimin e historisë së Kosovës” dhe ka shtuar se kjo përbën “përndjekje selektive ndaj Kosovës”.

Ai thekson se përqendrimi te rezistenca dhe jo te aparati shtetëror serb që kreu gjenocid “krijon një barazi të rreme mes pushtuesit dhe të pushtuarit”.

Deputeti ka shpjeguar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës u shfaq si reagim i domosdoshëm ndaj dhunës, spastrimit etnik dhe gjenocidit serb, duke qenë një formë mbrojtjeje dhe rezistence.

“Çdo përpjekje për ta nxjerrë këtë luftë jashtë këtij konteksti përbën shtrembërim të së vërtetës historike,” shkruan Hoxhaj.

Ai ka nënvizuar se “kriminalizimi i UÇK-së është sulm ndaj historisë së popullit të Kosovës. Çlirimi nuk është krim, rezistenca nuk është ndërmarrje kriminale dhe historia nuk mund të rishkruhet sipas narrativës së agresorit apo burokratëve në Bruksel”.

Sipas Hoxhajt, drejtësia e vërtetë mund të ekzistojë vetëm kur “emërtohet saktë pushteti që prodhoi dhunën dhe njihet legjitimiteti i luftës për liri”, ndërsa çdo vendim tjetër “mbetet një formë tjetër e padrejtësisë”.

Ai ka përmbyllur reagimin duke kritikuar Bashkimin Evropian.

“Fatkeqësia është se sot, me fonde të BE-së, po luftohet historia e Kosovës dhe po rehabilitohet regjimi gjenocidal i Serbisë, i cili kurrë nuk u përball realisht me drejtësinë.”

Shkrimi i plotë i Enver Hoxhajt:

Kërkesat e Prokurorisë Speciale për dënime ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk përbëjnë drejtësi të paanshme, por një ndërhyrje politike brutale që synon rishkrimin e historisë së Kosovës përmes një operacioni special, e cila në thelb përfaqëson përndjekje selektive ndaj Kosovës. Në vend që të trajtohet pushteti gjenocidal serb, vëmendja zhvendoset te rezistenca, duke kriminalizuar luftën çlirimtare dhe duke relativizuar agresionin shtetëror serb.

Serbia ushtroi dhunë sistematike, spastrim etnik dhe gjenocid në Kosovë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës u shfaq si reagim i domosdoshëm ndaj këtij realiteti, si formë e mbrojtjes dhe rezistencës ndaj okupimit. Çdo përpjekje për ta nxjerrë këtë luftë jashtë këtij konteksti përbën shtrembërim të së vërtetës historike.

Duke u marrë ekskluzivisht me rezistencën dhe jo me aparatin shtetëror serb që kreu gjenocid, kjo gjykatë krijon një barazi të rreme mes pushtuesit dhe të pushtuarit – kjo nuk shëron plagë, por prodhon relativizim moral dhe padrejtësi të reja.

Kriminalizimi i UÇK-së është sulm ndaj historisë së popullit të Kosovës. Çlirimi nuk është krim, rezistenca nuk është ndërmarrje kriminale dhe historia nuk mund të rishkruhet sipas narrativës së agresorit apo burokratëve në Bruksel. Drejtësia e vërtetë fillon vetëm kur emërtohet saktë pushteti që prodhoi dhunën dhe njihet legjitimiteti i luftës për liri. Pa këtë, çdo vendim mbetet një formë tjetër e padrejtësisë.

Fatkeqësia është se sot, me fonde të Bashkimit Evropian, po luftohet historia e Kosovës dhe po rehabilitohet regjimi gjenocidal i Serbisë, i cili kurrë nuk u përball realisht me drejtësinë.