Avokati Ardian Bajraktari ka folur për nisjen e deklaratave përmbyllëse në Hagë në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke shpjeguar hapat proceduralë që pasojnë këtë fazë të procesit gjyqësor.
Sipas Bajraktarit, pas përfundimit të fjalëve përmbyllëse nga palët, kryetari i trupit gjykues e shpall zyrtarisht të mbyllur procesin gjyqësor, çka shënon edhe fillimin e afatit brenda të cilit gjyqtarët duhet t’i shqyrtojnë provat një nga një për të arritur në një vendim.
Ai ka bërë të ditur se ky afat ligjor është tre muaj, me mundësi shtyrjeje edhe për dy muaj të tjerë, në varësi të vëllimit dhe kompleksitetit të çështjes.
Duke folur për pritshmëritë kohore, Bajraktari ka shprehur bindjen se vendimi i shkallës së parë në rastin Thaçi dhe të tjerët mund të merret gjatë muajve qershor ose korrik.
“Pas përfundimit të fjalëve përfundimtare, atëherë kryetari i grupit gjykues e konstaton të mbyllur procesin, nga ku fillon me rrjedhë edhe afati brenda të cilit grupi gjykues duhet t’i shqyrtojë provat një nga një, në mënyrë që të vie deri tek një vendim, ky afat është tre muaj, me mundësi shtimi edhe dy muaj të tjerë. Besoj që nga qershori ose korriku mund ta kemi verdiktin e shkallës së parë për sa i përket këtij procesi gjyqësor”, tha ai për GazetaBlic.


