Lajme

Më pak aksidente në autostrada gjatë janarit

02/08/2026 11:32
nga:Genita C

Njësia për Kontroll të Autostradave, gjatë muajit janar 2026, ka zhvilluar aktivitete të vazhdueshme me qëllim të rritjes së sigurisë në trafik dhe parandalimit të aksidenteve rrugore.

Sipas njoftimit, gjatë kësaj periudhe janë regjistruar gjithsej 68 aksidente trafiku, prej të cilave 40 me dëme materiale dhe 28 me lëndime trupore. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak, është shënuar një rënie e numrit të aksidenteve prej 6.8%.

Në kuadër të zbatimit të ligjit, janë shqiptuar 6,709 gjoba për shkelje të rregullave të trafikut. Po ashtu, janë konfiskuar 5 automjete, 18 automjete janë larguar nga qarkullimi, ndërsa 44 drejtuesve të mjeteve u është ndaluar përkohësisht drejtimi i automjetit.

Autoritetet theksojnë se këto masa do të vazhdojnë edhe në periudhën në vijim, me qëllim të rritjes së disiplinës në trafik dhe garantimit të sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në rrugë.