Qeveria gjermane riorganizon partneritetet: nga partneriteti i ri me Italinë dhe me Indinë, te partneritetet strategjike me shtetet e Gjirit.
Aktivitetet e fundit intensive diplomatike e ekonomike të qeverisë gjermane të kujtojnë periudhën pas nisjes së luftës në Ukrainë, kur u ndërprenë furnizimet me gaz rus dhe Berlini u detyrua të kërkojë partnerë të rinj. Tani është aleanca me SHBA “nën presion”, pas shpalljes së strategjisë së re ndaj Evropës nga SHBA. Jo vetëm Gjermania, por edhe fuqi të tjera të mesme perëndimore si Kanadaja, po kërkojnë partnerë në botë.
Kancelari gjerman Friedrich Merz vizitoi këtë javë Arabinë Saudite, Katarin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Ministri i Jashtëm Johann Wadephul po përfundon vizitat në shtetet e rajonit Azi-Paqësor (Australi, Zelandë e Re, Singapur, Tonga, Brunei).
“Na duhen partneritete të tilla… në një botë ku fuqitë e mëdha dominojnë politikën”, shpjegoi kancelari Merz para medieve në Riad. Ai tha se kështu do të ruajmë më mirë lirinë, sigurinë dhe mirëqënien tonë. Ministri i Jashtëm Wadephul ishte edhe më i drejtpërdrejtë: “Nuk ka vakum pushteti askund në botë, ai mbushet nga ata që janë të pranishëm”, u shpreh Wadephul-i në kanalin televiziv ZDF.
Shtetet e Gjirit: Interesa ekonomike e diskutime
Intensifikimi i bashkëpunimit me vendet e Gjirit, ndonjë prej te cilave njihen për rekorde të diskutueshme të drejtave të njeriut, solli pyetje në mediet gjermane. I ndërgjegjshëm për këtë, Merz-i tha se e kishte trajtuar temën e të drejtave të njeriut në të gjitha takimet me shtetet e Gjirit. Por “këtë unë e bëj pas dyerve të mbyllura”, sqaroi ai.
Bashkëpunimi tregtar mes Gjermanisë dhe vendeve të Gjirit mbështetet në interesa reciproke. Ndërsa Arabia Saudite synon modernizimin e strukturave të vendit, Berlini po punon për ripërtëritjen e ekonomisë gjermane. Monarkitë e pasura të Gjirit janë të gatshme të shpenzojnë qindra miliarda dollarë për t’u modernizuar. Sauditët janë shumë të interesuar për teknologjinë gjermane, si për inxhinierinë e ndërtimit, të punimeve nëntokësore, por edhe për armatimin gjerman. Siç u shpreh ministri i jashtëm Wadephul, “shumë shtete duan të bashkëpunojnë me ne”.
Përpara kësaj (12.01.-13.01.), kancelarin Merz e pritën me ngrohtësi edhe në Indi, ku ai nënshkroi 19 marrëveshje ekonomike, përfshirë një partneritet prej 1.24 miliardë eurosh për energji të rinovueshme dhe mbajtjen e manovrave të përbashkëta detare dhe ajrore.
Dhjetë ministra gjermanë në Romë: Merz e Meloni ndërtojnë konsensus
Nga udhëtimet, veçanërisht tërhoqi vëmendjen takimi i kancelarit Merz me kryeministren italiane Meloni (23.01.2026). Friedrich Merzin e shoqëruan në Romë dhjetë ministra gjermanë, gjysma e qeverisë. Atje, Berlini dhe Roma u shprehën qartësisht të të njëjtit mendim thuajse për të gjitha çështjet për të ardhmen e Evropës.
Të dyja palët ranë dakord në një dokument që të forcojnë koordinimin në çështjet evropiane. Ato duan të frenojnë imigrimin e paligjshëm dhe të rrisin riatdhesimet. Do të ketë më shumë projekte të përbashkëta për mbrojtjen.
Korrespondentë që e përjetuan vizitën e kancelarit në Romë konstatuan se midis Merz-it dhe Melonit po zhvillohet një miqësi e ngushtë. Meloni është politikisht stabile, në dallim nga Emmanuel Macron-i. Ajo dhe kancelari Merz kanë të njëjtin qëndrim për disa politika të Presidentit Trump, siç doli në pah edhe në deklaratat në Romë për Bordin e Paqes, Meloni mendon ngjashëm për Ukrainën dhe për tregtinë botërore.
Giorgia Melonit i përshtatet interesi gjerman, pasi pret që Italia të merret seriozisht në Evropë. Konsultimet i nxitën disa komentatorë të flasin për një bosht të ri Berlin-Romë, por në Gjermani bashkëpunimi përgjithësisht nuk preferohet të quhet i tillë.
Eufori e zbehur mes Berlinit dhe Parisit
Bashkëpunimi midis Gjermanisë dhe Francës po kalon nëpër ndryshime që nga maji 2025, kur erdhi në pushtet Merz-i. Sapo mori detyrën, Merz-i e shpalli konsolidimin e partneritetit me Francën si objektiv parësor. Brenda gushtit u finalizuan njëzet “projekte bazë”, por optimizmi i parë është dobësuar gradualisht.
Disa ekspertë e konsiderojnë si element qendror për intensifikimin e bashkëpunimit Merz-Meloni faktin se marrëveshja e Mercosurit (marrëveshja tregtare midis BE dhe shteteve amerikanojugore) u miratua në fund nga BE vetëm falë mbështetjes italiane. Franca e kundërshtoi, megjithëse BE e kishte negociuar prej 25 vjetësh marrëveshjen me shtetet e Mercosur-it.
Në Berlin janë të acaruar nga qëndrimi bllokues francez për prodhimin e avionit të përbashkët luftarak të së ardhmes. Ky projekt rrezikohet të falimentojë. Fërkime ka edhe për qëndrimin ndaj Ukrainës. Iniciativa e Macronit për të ftuar në Paris, pa rakordim me Berlinin, Presidentin rus Putin, në një takim të G-7-ës (iniciativë që e publikoi Presidenti Trump), erdhi papritur.
Berlini konsolidon pushtetin
Franca mbetet një fuqi ushtarake e rëndësishme evropiane. Por edhe ushtarakisht, Berlini po punon intensivisht që të ndërtojë ushtrinë më të madhe konvencionale në Evropë. Në fund të janarit Gjermania deklaroi se ka nisur zyrtarisht si prioritet zhvillimin e një sistemi nacional të zbulimit të raketave të bazuar në satelitë, për të qenë më e pavarur. Ndërsa Franca përballet me një borxh mbytës, që e kufizon në disa drejtime. Njëkohësisht, edhe analistë francezë konstatuan së fundi se Merzi është shumë i pranishëm ndërkombëtarisht. Parisi e ka të vështirë “strukturalisht” , kur Berlini konsolidon pozicionin si lojtar politik dominues./DW/


