Lajme

“Shpesh jemi mbështet për muri”, Halil Kastrati rrëfen fillimet e vështira të shoqatës ”Jetimat e Ballkanit”

02/07/2026 11:09
nga:Sh R

Në prag të 17-vjetorit, humanisti Halil Kastrati ka ndarë rrugëtimin e themelimit të shoqatës bamirëse “Jetimat e Ballkanit”, duke treguar se ideja lindi gjatë kohës kur ai vetë ishte mërgimtar dhe azilkërkues.

Ai në emisionin “Weekend” në Klan Kosova, tregoi se pikërisht përvoja e tij jashtë vendit, ku ishte strehuar dhe kishte parë nga afër funksionimin e kuzhinave humanitare, e shtyu të premtonte se, nëse do të kthehej ndonjëherë në Kosovë, do të hapte një të tillë për njerëzit në nevojë.

“Ne e kemi hapur kuzhinën tonë humanitare në vitin 2009, me qëllimin që të paktën atyre që kanë nevojë t’ua ofrojmë një shujtë të ngrohtë. Pastaj filloi ballafaqimi i drejtpërdrejtë me familjet në nevojë, dëgjimi i rrëfimeve të tyre për jetën, gjë që na mësoi shumë dhe na shtyu të zgjerohemi me aktivitete të tjera”, tha Kastrati.

Ai  përmendi se fillimet nuk kanë qenë të lehta. Sipas tij, sfidë e madhe ka qenë fitimi i besimit të qytetarëve dhe mbajtja gjallë e një kuzhine humanitare.

“Fillimet tona kanë qenë të vështira, sepse me arrit me fitu besimin e masës ka qenë jashtëzakonisht e vështirë. Me mbajt gjallë një kuzhinë humanitare ka qenë shumë e rëndë, shumë herë jemi mbështet për muri”, ka deklaruar Kastrati në Klan Kosova.