Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka deklaruar se deri më tani në Kosovë nuk është lëshuar asnjë leje për prodhimin e dronëve luftarakë apo të dronëve me përdorim të dyfishtë.
Ai ka deklaruar se në një aktivitet të zhvilluar në tetor, bashkë me Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë, janë vlerësuar inovatorë në fushën e dronëve, ku është prezantuar edhe droni “Skifter”.
Sipas tij, në këtë aktivitet ishin prezantuar vetëm dronë me helika, si dronë të vegjël, dhe nuk është informuar për testime të mundshme të dronëve të tipit “Skifter”.
“Ne në muajin tetor bashkë me Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë kemi zhvilluar një aktivitet të hapur të vlerësimit të inovatorëve në fushën e dronëve, mes të këtyre kompanive ka qenë edhe kompania që e ka prezantuar dronin Skifter, mirëpo aty janë prezantuar vetëm dronët me Helika një lloj tjetër i dronëve, një dron i vogël. Ndërsa pjesa tjetër ne nuk kemi qenë të paktën të informuar për një lloj testimi të mundshëm të një lloji të tillë të dronit siç ka qenë Skifteri. Si ministri por as institucionet e tjera në Kosovë nuk kanë lëshuar ende ndonjë leje për ndonjë kompani për prodhimin e dronëve luftarak, dhe as të dronëve për qëllime të dyfishta, pjesa ku jemi tani është që po diskutojmë me shumë inovatorë të ndryshëm në Kosovë, por edhe kosovar që jetojnë në perëndim të cilët vazhdojnë të komunikojnë me Ministrin e Mbrojtjes në mënyrë që të prezantojnë produktet e tyre”, ka deklaruar Maqedonci në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Ai po ashtu ka shtuar se po vazhdojnë diskutimet me inovatorë të ndryshëm, si në Kosovë ashtu edhe në diasporë për prezantimin e produkteve të tyre.
Maqedonci ka paralajmëruar se në qeverisjen e ardhshme, Kurti 3, do të rregullohen aspektet ligjore dhe do të përgatiten rregulloret dhe dokumentet e nevojshme për testimin, vlerësimin dhe licencimin e dronëve ushtarakë.
Ai gjithashtu ka thënë se fabrika e municionit do të licencohet nga një vend i NATO-s, Turqia, dhe se prodhimi do të bëhet me standarde të NATO-s.
“Ne në qeverisjen e ardhshme Kurti 3, do të rregullojmë aspektin ligjor, dokumentet rregulloret dhe ligjet e nevojshme që të adresojmë çështjen e testimeve, vlerësimeve dhe licencimeve të produkteve ushtarake të dronëve ushtarak, në rastin e fabrikës së municionit, kjo fabrikë do të licencohet nga një vend i NATO-s nga Turqia për prodhimin me standarde të NATO-s të municioneve, ne do tentojmë që aty ku nuk kemi ekspertizë të brendshme të kemi dhe të sundojmë ekspertizë të jashtme”, ka theksuar ai.


