Milani po shqyrton seriozisht përforcimin e repartit sulmues dhe pritet që gjatë verës të nisë bisedimet me Fiorentinën për një marrëveshje të mundshme për transferimin e Moise Kean.
Sipas raportimeve të Calciomercato, drejtuesit e Rossonerëve janë të interesuar për shërbimet e sulmuesit italian, por nuk janë të gatshëm të paguajnë klauzolën e lirimit prej 62 milionë eurosh, të cilën e konsiderojnë të tepruar.
Për këtë arsye, Milani synon të hyjë në negociata me klubin Viola për të ulur çmimin ose për të gjetur një formulë më të favorshme transferimi.
Kean, 25 vjeç, nuk po kalon sezonin më të mirë në aspektin individual. Ai ka realizuar vetëm gjashtë gola këtë edicion, duke mos arritur të përsërisë formën mbresëlënëse të sezonit 2024/25, kur kishte shënuar plot 25 gola.
Kjo rënie e formës ka ndikuar edhe në vlerësimin e tij në treg, çka i hap rrugë një transferimi të mundshëm nëse palët gjejnë gjuhën e përbashkët.
Vlerësimi i tij aktual në faqen e specializuar të transferimeve Transfermarkt është 45 milionë euro.


