Lajme

Guvernatori Ismaili: Sektori bankar i Kosovës, ndër më të qëndrueshmit në rajon

02/06/2026 11:52
nga:Sh R

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, mori pjesë në panelin me temë “Sektori bankar dhe financiar i Kosovës: Një mundësi reale për investitorët francez”, i organizuar në kuadër të konferencës “Dita e Biznesit Francez”.

Konferenca u organizua nga Ambasada e Francës në Kosovë dhe Këshilli i Investitorëve Evropian, duke mbledhur përfaqësues të lartë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, si dhe duke përfshirë katër panele tematike me fokus aktual.

Gjatë diskutimit në panel, Ismaili prezantoi zhvillimet kryesore në ekonominë e vendit, reformat e ndërmarra nga BQK-ja si dhe stabilitetin financiar. Ai theksoi se sektori bankar i Kosovës mbetet ndër më të qëndrueshmit në rajon, i mbështetur nga nivele të larta të kapitalizimit dhe likuiditetit, si dhe nga një nivel i ulët i kredive joperformuese, duke luajtur një rol kyç në mbështetjen e aktivitetit ekonomik dhe zhvillimit të qëndrueshëm të vendit.

Më tej, ai shpalosi angazhimin e BQK-së për forcimin e kornizës rregullative dhe mbikëqyrëse, promovimin e produkteve dhe shërbimeve financiare inovative, si dhe avancimin e gjithëpërfshirjes financiare, me qëllim të krijimit të një sektori financiar të qëndrueshëm, konkurrues dhe të integruar me tregjet ndërkombëtare.

“Stabiliteti financiar përforcohet nga korniza ligjore dhe rregullative e harmonizuar me atë të Bashkimit Evropian, si dhe nga përdorimi i euros si valutë zyrtare, të cilat garantojnë siguri juridike dhe kushte të barabarta konkurrence për bizneset dhe investitorët nga vendet e BE-së. Në këtë kontekst, Guvernatori i BQK-së vuri në pah rëndësinë e inovacionit financiar dhe digjitalizimit si parakushte thelbësore për krijimin e një mjedisi tërheqës për investime të huaja”, thuhet në komunikatën e BQK-së.

Guvernatori elaboroi edhe mbi nevojën për diversifikimin e burimeve të financimit përtej sektorit bankar, përfshirë avancimin e skemave garantuese dhe zhvillimin e tregut të kapitalit, me qëllim të zgjerimit të mundësive për tregti dhe investime, si dhe rritjes së konkurrencës në ekonomi.

Ai foli gjithashtu për agjendën e digjitalizimit dhe integrimeve në sektorin financiar, duke përfshirë modernizimin e infrastrukturës së pagesave përmes projektit të pagesave të shpejta TIPS Clone, progresin drejt anëtarësimit në SEPA, bankingun e hapur, si dhe iniciativat rajonale që synojnë rritjen e efikasitetit dhe ndërveprueshmërisë së sistemeve financiare. Sipas tij, Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian dhe projektet e tjera me institucionet financiare ndërkombëtare, të cilat pritet të ratifikohen nga Kuvendi, janë gjithashtu në funksion të arritjes së këtyre objektivave.

Krahas nxitjes së inovacionit, Ismaili tha se BQK po forcon mbikëqyrjen e ofruesve të shërbimeve financiare, standardet e sigurisë kibernetike dhe mbrojtjen e konsumatorit, duke siguruar që modernizimi i sistemit financiar të shoqërohet me ruajtjen e plotë të stabilitetit financiar.

Në përfundim, guvernatori Ismaili nënvizoi se sektori financiar i Kosovës kombinon stabilitetin, modernizimin dhe inovacionin brenda një kornize konkurruese të harmonizuar me Bashkimin Evropian. “Me një sistem bankar stabil dhe konkurrues, infrastrukturë moderne, potencial në rritje në fushën e fintech-ut dhe një mjedis tatimor tërheqës, Kosova ka potencial të shndërrohet në një destinacion strategjik investimi, me perspektiva të qarta për rritje afatgjatë dhe integrim evropian”, u shpreh Ismaili.