Lajme

Musk i ndërpret Starlinkun ushtrisë ruse, ata ngecin në frontin e luftës

02/06/2026 09:21
nga:Sh R

Ndërprerja e shërbimeve të internetit satelitor Starlink për forcat ruse ka shkaktuar vështirësi serioze në terren, duke ndikuar drejtpërdrejt në bllokimin e vijës së frontit dhe ngecjen e avancimit të trupave pushtuese.

Sipas raportimeve, komanda ushtarake ruse po përballet me probleme të shumta operative, ndërsa një numër operacionesh sulmuese janë pezulluar në disa zona të luftës. Kjo situatë ka ndikuar edhe në përdorimin e dronëve, pasi lëshuesit nuk janë më në gjendje t’i operojnë ata për shkak të mungesës së lidhjes së qëndrueshme me internetin.

Në anën tjetër, Forcat e Armatosura të Ukrainës vazhdojnë të përdorin shërbimin Starlink. Pronari i kompanisë, Elon Musk, ka bërë të ditur në platformën X se për funksionim korrekt, terminalet duhet të jenë të regjistruara brenda territorit të Ukrainës.

Pas ndërprerjes së qasjes së ushtrisë ruse në pajisjet Starlink të përdorura në mënyrë të paligjshme për sulme me dronë, në rrjete sociale janë shfaqur thirrje nga qytetarë rusë që presidenti Vladimir Putin të kërkojë ndihmë nga homologu i tij bjellorus, Alexander Lukashenko.

Autoritetet në Bjellorusi kanë pretenduar se shkencëtarët e tyre kanë zhvilluar një sistem të brendshëm komunikimi satelitor, të ngjashëm me Starlink, megjithatë nuk janë dhënë detaje konkrete mbi funksionalitetin e tij.