Lajme

Rama në DASh: Koordinimi me ShBA-në, kyç për projektet ekonomike të Prishtinës

02/06/2026 09:15
nga:Sh R

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar përmes Facebook-ut se gjatë qëndrimit të tij në Uashington, D.C., është pritur në Zyrën për Çështjet e Evropës Jugore dhe Qendrore të Departamentit të Shtetit të SHBA-së nga Lyn Debevoise, zëvendësdrejtor për Çështjet e Evropës Perëndimore dhe Qendrore, si dhe nga përfaqësues të zyrës për politika ndërkombëtare.

Rama tha se gjatë takimit është rikonfirmuar qëndrimi i përbashkët dhe marrëdhëniet jashtëzakonisht të fuqishme mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës, veçanërisht me Prishtinën.

Diskutimet, sipas tij, përfshinë një gamë të gjerë temash, duke filluar nga stabiliteti politik, roli i parlamentit dhe qeverisë, procesi i zgjedhjes së presidentit, e deri te sfidat e reja me të cilat po përballet vendi, pa i përmendur se cilat janë ato.

Vëmendje e veçantë iu kushtua bashkëpunimit ekonomik, me fokus në “Konferencën për Investime Amerikane”, që do të mbahet në Prishtinë në muajin mars.

“Koordinimi i ngushtë me Departamentin e Shtetit është thelbësor për suksesin e projekteve ekonomike që synojnë forcimin e sektorit privat dhe krijimin e një klime të qëndrueshme dhe konkurruese të investimeve”, u shpreh Rama në Facebook.

Ndërkohë, zëvendësdrejtori Debevoise, sipas Ramës, ka rikonfirmuar përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për të mbështetur rritjen ekonomike të Kosovës, duke siguruar mbrojtjen e investimeve amerikane dhe duke avancuar progresin ekonomik afatshkurtër dhe objektivat afatgjata rajonale për të ardhmen e vendit.