Spitali i Mitrovicës ka njoftuar se për shkak të një defekti në furnizimin me energji elektrike në trafon e qytetit, në të cilën është i lidhur ky institucion shëndetësor, aktualisht disa reparte janë pa rrymë.
Sipas njoftimit, pjesët vitale të spitalit janë të furnizuara me energji elektrike përmes gjeneratorëve, duke siguruar vazhdimësinë e shërbimeve esenciale për pacientët.
Nga Spitali i Mitrovicës bëhet e ditur se ekipet e KEDS-it ndodhen në terren dhe janë duke punuar për sanimin e defektit, ndërsa rikthimi i furnizimit të rregullt me energji elektrike pritet të realizohet shumë shpejt.


