Lajme

Me shtrenjtimin e rrymës pritet të ngritën edhe çmimet e tjera

02/06/2026 08:51
nga:Sh R

Zyra e Rregullatorit për Energji elektrike ka bërë të ditur se aktualisht është në proces të shqyrtimit të kërkesave të operatorëve energjetik, për një shtrenjtim tjetër të rrymës. Operatorët energjetik kërkuan që në Kosovë të shtrenjtohet rryma për së paku edhe 21% të tjera ende pa u bërë një vjet nga shtrenjtimi prej 16.1% në prillin e viti 2025. Vendimi për këtë çështje pritet të merret në muajin mars. Ndonëse ende nuk dihet epilogu i shtrenjtimit të rrymës, paralajmërimet se në Kosovë do të ndodhë një gjë e tillë ka nxitur frikë tek qytetarët, të cilët siç thonë aktualisht pranojnë fatura të papërballueshme.

“Aktualisht paguaj 130-40 euro rrymë, 500 euro e kom rrogën, 300 euro e kom kredinë, me 5-6 smuja jam, une nuk e di qysh ka me jetu…”, u shpreh një qytetar.

130 euro sa pagova rrymën, krejt senet shtrenjtë tu ja nisë prej vove nuk e di qysh po mendojnë kta…”, tha një qytetar tjetër për rtv21

“Unë paguaj rrymë 70 euro, 1 anëtar punon me mardh fatura përmbi 100 euro kah me ja majt, duhet me dal në protesta me e kallë krejt…”

Përveç qytetarëve, për fatura të larta flasin edhe afaristët. Një pronar i një furre buke në komunën e Pejës, Sejdë Shatri, thotë se fatura e fundit që ka pranuar ishte 1200 euro dhe sipas tij një shtrenjtim tjetër i rrymës do ta detyrojë atë por edhe kolegët e tij që t’i shtrenjtojnë produktet e tyre.

“Aktualisht një bukë është 60 centë, kur të shtrenjtohet rryma nëse ndodh skemi qare pa e shtrenjtu bukën 70-80 centë se smundesh me e përballu. 1500 euro kam pagu rrymë unë tash…”.

Që nga viti 2021 në Kosovë të paktën 3 herë është shtrenjtuar energjia elektrike. Megjithatë, pavarësisht shtrenjtimeve të një pas njëshme as ZRRE por as operatorët energjetik nuk kanë garantuar furnizim të sigurt qoftë për qytetarët, apo edhe për bizneset. Afaristi Burim Piraj, thotë se pavarësisht faturave të larta në Kosovë ende ka reduktime.

“Furnizimi i parregullt ka kosto shumë më të lartë se sa shtrenjtimi i rrymës. Të ndalet rryma pa paralajmërim edhe të shkakton 100 humbje të tjera, t’i prishë maqinat, të kushton nafti të dëmtohet prodhimi…”, u shpreh Piraj për rtv21

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, tha se ZRRE para se të marr vendim për shtrenjtim të rrymës duhet të bëjë një analizë të gjendjes ekonomike në Kosovë.

“Nëse ndodhë një shtrenjtim tjetër lirisht mund të themi se është një grusht i fortë për bizneset por edhe për qytetarët e Kosovës të cilët edhe aktualisht kanë një fuqi blerëse tejet të ulët…”, tha Rafuna për rtv21

ZRrE, vitin e kaluar mori vendim që ta shtrenjtojë rrymën për të gjithë konsumatorët për 16.1%. Ndërsa, në rast të shtrenjtimit të rrymës prej 20%, një faturë me 600 kilovat të shpenzuara nga rreth 50 euro sa vjen aktualisht do të shkonte në 65 euro, ndërsa një faturë me mbi 1 mijë Kilovat të shpenzuara prej rreth 100 euro sa vjen aktualisht do të shkonte në një faturë prej rreth 130 euro.