Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, në bashkëpunim me organizatën “Përpjekja”, kanë bërë thirrje për protestë kundër paralajmërimeve për rritje të çmimit të energjisë elektrike, e cila do të mbahet nesër duke filluar nga ora 13:00 para objektit të KEDS-it, për t’u përmbyllur më pas para Qeverisë së Kosovës, raporton GazetaBlic.
E aktivisti Yll Islami, nga Qendra Sociale ‘Përpjekja’, në një prononcim për GazetaBlic tregon se organizimi po shkon shumë mirë dhe se presin që pjesëmarrja të jetë masive.
Sipas tij, ndryshe nga viti i kaluar, këtë vit qytetarët janë më të mllefosur për shkak të rritjeve të vazhdueshme të çmimit të energjisë elektrike, të cilat po përsëriten pothuajse çdo vit dhe po pasohen me rritje zinxhirore të çmimeve të produkteve bazike.
“Organizimi po shkon shumë mirë dhe presim që pjesëmarrja të jetë masive. Për dallim prej vitit të kaluar, këtë vit edhe qytetarët janë më të mllefosur, sepse po e shohin që rritja abuzive e çmimit të energjisë elektrike nuk po ndalet pothuajse çdo vit dhe po pasohet me rritje zinxhirore të produkteve bazike. Kjo po e varfëron dhe po e vështirëson edhe më shumë jetën e qytetarit” tha ai.
Ai ka shtuar se vetëm pjesëmarrja masive në protesta mund ta ndalë atë që e ka cilësuar si rritje abuzive dhe spekulative të çmimit të energjisë elektrike.
“Vetëm pjesëmarrja masive e qytetarëve mund ta ndalë këtë rritje abuzive e spekulative. Efekti do të jetë i menjëhershëm nëse nesër dhe në protestat e radhës sheshet do të mbushen dhe qytetarët do të shprehin pakënaqësinë e tyre”, vlerësoi ai.
Duke folur për përkrahjen politike, Islami ka bërë të ditur se organizatorët nuk kanë kërkuar dhe as nuk kanë marrë mbështetje nga partitë politike.
Ai ka kritikuar partinë në pushtet, duke thënë se përmes Bordit të ZRRE-së po aprovohen kërkesat e KEDS-it, ndërsa heshtja e partive opozitare, sipas tij, tregon përfshirjen e tyre të mëhershme në abuzimet në sektorin e energjisë.
“As nuk kemi kërkuar e as nuk kemi marrë përkrahje. Partia në pushtet, përmes Bordit të ZRRE-së si instrument, aprovon çdo kërkesë të KEDS-it; rrjedhimisht, nuk presim prej tyre përkrahje, kurse heshtja e partive opozitare tregon më së miri përfshirjen e tyre në të kaluarën në abuzimin e vazhdueshëm që ka ndodhur me sektorin e energjisë”, u shpreh ai.
Sipas Islamit, interesimi i qytetarëve për protesta nuk ka qenë asnjëherë më i madh, për shkak se kostoja e përballimit të shpenzimeve mujore është bërë e padurueshme për shumicën e qytetarëve.
“Nuk kemi pasur ndonjëherë interesim më të madh për protesta sesa sot. Këtë e shpjegon fakti se kostoja e përballimit të shpenzimeve mujore për shumicën prej nesh është bërë e padurueshme. Një rritje tjetër e faturave të energjisë, e cila do të përkthehej menjëherë në rritje edhe të produkteve të tjera, i ka alarmuar qytetarët kësaj radhe”, potencoi ai.
Për fund, aktivisti ka bërë të ditur se protestat dhe aktivitetet do të vazhdojnë deri në realizimin e qëllimeve të tyre të përbashkëta.
“Posa kemi marrë lajmin që KEDS-i ka kërkuar rritje të çmimit të faturave dhe posa morëm sinjalin nga Bordi i ZRRE-së dhe aktorët qeveritarë se kjo kërkesë do të aprovohet, ne kemi nisur organizimin menjëherë. Normalisht që protestat dhe aktivitetet do të vazhdojnë deri në arritjen e qëllimeve tona të përbashkëta”, përfundoi ai për GazetaBlic.


