Analisti politik, Visar Ymeri, ka thënë se Vjosa Osmani mandatin e saj si presidente nuk e ka zhvilluar sipas parimeve kushtetuese, pasi ka qenë shumë e afërt me VV-në në qëndrimet dhe vendimet e saj.
Ai në një intervistë për Gazeta Blic, ka thënë se ajo nuk ka qenë më racionale sa i përket politikës së jashtme, ku dhe ka pasur më së shumti mospajtime me Kurtin.
“Së pari, unë nuk mendoj se presidentja Osmani e ka zhvilluar mandatin e saj në Presidencë sipas parimeve kushtetuese, një prej më kryesoreve që është që të jetë simbol i unitetit politik dhe qytetar, gjë që nuk e ka shprehur Vjosa Osmani, pra në shumë prej vendimeve dhe qëndrimeve të saj ka qenë shumë më e afërt me Vetëvendosjen dhe jo vetëm vitin e fundit rreth zgjedhjeve që mbante qartazi anën e LVV-së por edhe gjatë mandatit, për shembull në raport me kryeprokurorin e shumë gjëra të tjera, edhe pse kanë pasur nganjëherë mospajtime për çështje të caktuara. Në anën tjetër, Vjosa Osmani, nga këndvështrimi im, nuk e ka transmetuar një qëndrim më ndryshe, më racional sa i përket politikës së jashtme të Kosovës, gjë që është dashur ta bëjë, edhe pse kjo është fusha që më së shumti kanë pasur mospajtime me Kurtin”, është shprehur ai.
Sipas Ymerit, gjasat janë të vogla që ajo të zgjedhet sërish presidente pasi VV nuk po e përmend fare që mund ta kandidojë, ndërsa Kurti është shprehur se dëshiron bashkëpunim me partitë për një kandidat konsensual, ndërsa që Osmani nuk është e pranueshme nga partitë opozitare.
“Sidoqoftë, nuk duket që gjasat që ajo të zgjidhet presidente e vendit janë shumë të mëdha sepse nëse e shohim VV-në në vitin 2021 ishin shumë të zëshëm në publik se Vjosa Osmani do të bëhet presidente dhe s’ka opsion tjetër, këtë radhë janë shumë me qëndrim ndryshe, asnjëherë nuk e kanë përmendur se ajo do të jetë kandidatja që do ta propozojë VV apo se do t’i ketë votat e VV-së për presidente. Çka kemi dëgjuar nga Albin Kurti është që ata janë të interesuar për një kandidat konsensual që do të prodhohej në bashkëpunim me partitë tjera, por mbetet të shihet nëse do të ketë bashkëpunim me të gjitha partitë apo me një parti. Sidoqoftë, unë nuk e shoh në çfarëdo forme që Vjosa Osmani mund të jetë presidente konsensuale, meqë sa kam parë nga deklarimet publike, është gati e papranueshme nga dy partitë më të mëdha opozitare, që janë LDK e PDK, por edhe për AAK-në”, ka theksuar ai për Gazeta Blic.
Sa i përket mundësisë së bashkëpunimit të VV-së me partitë tjera për presidentin, Ymeri thotë se janë dy mundësi, teksa shton se do të ishte mirë që presidenti të jetë kandidat konsensual, një pikë reference që bashkom qytetarët dhe partitë.
“Ka shumë emra për president por nuk e di se çka do të dalë nga takimet mes partive, nuk e di a do të ketë takime edhe pse të gjitha partitë kanë shprehur gatishmërinë për një gjë të tillë, por janë dy mundësi që të dilet nga kjo, ose Kurti dhe VV dalin me një emër që është i pranueshëm edhe për të tjerët, ose do të ulen vërtetë dhe ta diskutojnë se cili do të kishte me qenë emri i kandidatit konsensual, ose në fund të fundit, VV mund të arrijë marrëveshje me një parti për t’i arritur 80 vota dhe kandidati të dalë nga takimi i dy partive, jo më shumë. Varet se cila do të jetë metodologjia dhe rruga të cilën do të shkojnë në fund për ta zgjedhur presidentin por ka shumë emra në Kosovë që mund të jenë kandidat konsensual. E mira do të ishte që partitë t’ia japin Kosovës një president që nuk u takon partive por ka integritet dhe kredibilitet institucional dhe përvojë, në mënyrë që së paku ta kemi një pikë reference, e cila vërtetë na bashkon neve si qytetarë”, ka vlerësuar ai.
Po ashtu, analisti potencon se presidenti mund të jetë pika e zhdukjes së polarizimeve mes partive.
“Nëse është prodhim i një marrëveshje politike, siç kemi pasur raste të shumta në të kaluarën, ai atëherë do të jetë president i atyre dy partive dhe jo i gjithë qytetarëve, që mendoj se do të jetë gabim dhe e dëmshme për fazën në të cilën jemi dhe në të cilën po hyjmë, sepse presidenti, mes tjerash, mund të shërbejë edhe si pika e reduktimit apo zhdukjes se polarizimeve shoqëror në të cilin na ka fut VV gjatë këtyre viteve. Dhe në këtë pikë, nëse duan unitet politik e qytetar, atëherë presidenti është një nga pika ku mund të arrihet kjo”, ka deklaruar Visar Ymeri./Gazeta Blic/
“Vjosa Osmani ‘jashtë loje’ pa përkrahjen e VV-së – Kurti vendos nëse e kandidon për presidente”


