Lajme

Rizvanolli: Duhet t’i ndalim blloqet e KEK-ut për disa muaj, do të rritet importi i rrymës këtë vit dhe tjetrin

02/04/2026 17:21
nga:Genita C

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se lajmi i publikuar për rritje të tarifave të energjisë ka të bëjë vetëm me kërkesën e furnizuesit dhe operatorëve të tjerë, por tha se për këtë çështje, nuk ka një vendim ende.

“Sa i përket kërkesës dhe vendimit eventual dhe sa i përket tarifave të energjisë elektrike, ne do ta shohim raportin konsultativ kur ZRRE-ja ta publikojë atë. Ne në këtë fazë nuk mund të themi asgjë. ZRRE-ja i vlerëson këto shpenzime që llogariten që ata konsiderojnë që janë të arsyeshme dhe ne si çdo vit do të analizojmë, do t’i japim komentet tona sa i përket kësaj”, deklaroi Rizvanolli.

Ministrja në detyre tha se duhet pasur parasysh disa zhvillime që, sipas saj, janë objektive në sektor të energjisë e që tha se do të mund të kenë pasoja në këtë aspekt.

“Në KEK vitin e kaluar kanë filluar investime në modernizim dhe rehabilitim që nuk janë bërë që 40 vite që nga fillimi i punës në Termocentralin Kosova B dhe 60 vite nga fillimi i punës në Termocentrali Kosova A”.

Rizvalli paralajmëroi periudhë sfiduese, meqë, sipas saj, blloqet duhet të ndalen për një kohë, për disa muaj në mënyrë që investimet te realizohen.

“Kjo do të thotë që për këto vite vjet ,sivjet dhe vitin e ardhshëm ne do të kalojmë një periudhë sfiduese, sepse blloqet duhet të ndalen, është e domosdoshme të ndalen për një kohë, për disa muaj, në mënyrë që investimet te realizohen. kjo është një sakrificë që duhet ta bëjmë ne për ne dhe gjeneratat e ardhshme. Është investimi i parë serioz që po bëhet pas 40 vitesh, megjithëse në KEK janë investuar rreth 1 miliard euro, kështu së paku thonë shifrat zyrtare. Deri në vitin 2020 nuk ka pasur asnjëherë rritje të kapacitetit, rritje të efiçiencës e rritje të jetëgjatësisë. Investimet që po bëhen tash i përmirësojnë te gjitha këto aspekte”, tha Rizvanolli.

Sipas ministres në detyrë, me investimet që bëhen jetëgjatësia e termocentraleve rritet për 20 vjet, që ndotja të ulet dukshëm dhe që kapaciteti të rritet për së paku 35 megavat në secilin bllok të termocentralit Kosova B.

“Këto rëniet e blloqeve që i kemi, ndodhin sepse nuk ka pasur investime serioze në 40 vitet e fundit. Siguria e sistemit elektroenergjetik duhet të rritet dukshëm. Duke qenë se termocentralet do të jenë në dispozicion 85 për qind të kohës brenda vitit dhe nuk do të kemi më ndalje të paparashikuara në masën që kemi. Kjo është një arsye pse vjet është dashur të importojmë më shumë. Ka arsye objektive pse importi është rritur gjatë vitit të kaluar, pse importi pritet të jetë i lartë edhe gjatë këtij viti, mirëpo edhe gjatë vitit të ardhshëm. Por, kjo gjë duhet të ndarë prej një faktori tjetër që ka të bëjë me mënyrën si blihet energjia, si transportohet energjia, me procedurat e të tjera të cilat janë çështje të cilat zyra e ZRRE-së i mbikëqyre dhe duhet t’i mbikëqyrë, dhe ne kemi kërkuar vazhdimisht t’i mbikëqyrë me vigjilencë. Aty ku ka hapësirë për hetime, sigurisht që ato duhet të bëhen dhe duhet të jenë komplet transparente”, tha Rizvanolli./rtk/