Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka njoftuar se ka zhvilluar një takim në Departamentin Amerikan të Shtetit me Daniel J. Lawton, Zëvendës Ndihmës Sekretar pranë Byrosë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, raporton GazetaBlic.
Haradinaj e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës, duke theksuar rëndësinë e partneritetit strategjik mes dy vendeve dhe duke nënvizuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO do të forconte sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Postimi i plotë:
Pata nderin në Departamentin Amerikan të Shtetit, të takoj z. Daniel J. Lawton, Zëvendës Ndihmës Sekretar i Departamentit të Shtetit, pranë Byrosë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike.
E falënderova z. Lawton për mbështetjen e palëkundur që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Kosovës, nga liria jonë deri te ndërtimi i demokracisë dhe institucioneve shtetërore.
Theksova se partneriteti dhe miqësia ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë të qëndrueshme dhe strategjike. Anëtarësimi i Kosovës në NATO jo vetëm që do të forcojë sigurinë tonë, por do të kontribuojë gjithashtu në paqe, stabilitet dhe mbrojtje kolektive në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe komunitetin euro-atlantik.


