Lajme

LDK në Mitrovicë del nga koalicioni qeverisës me LVV-në, Plakolli tregon arsyet

02/04/2026 10:47
nga:Sh R

Kryetari i degës së LDK’së në Mitrovicë, Gëzim Plakolli e ka konfirmuar prishjen e koalicionit me VV’në në Mitrovicë.

Ai tha se shkak është mosrespektimi i marrëveshjes për bashkëqeverisje dhe shpërfillja e propozimeve zyrtare të degës së LDK’së.

Plakolli shtoi se drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport është emëruar në mënyrë të njëanshme dhe pa asnjë paralajmërim nga Peci.

“Lidhja Demokratike e Kosovës, Dega në Mitrovicë njofton opinionin publik se, për shkak të mosrespektimit të marrëveshjes për bashkëqeverisje dhe shpërfilljes së propozimeve zyrtare të Degës së LDK-së, ka marrë vendim për dalje nga koalicioni qeverisës. Emërimi i Drejtorit të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, i realizuar në mënyrë të njëanshme dhe pa asnjë paralajmërim nga Kryetari Peci, është në kundërshtim të plotë me dakordimet paraprake si dhe me propozimet e miratuara nga organet e LDK-së në Mitrovicë. Për këtë arsye, sqarojmë se ky emërim nuk e përfaqëson LDK-në dhe as Degën e saj në Mitrovicë. Ky vendim është obligativ për të gjithë anëtarët e LDK-së në Mitrovicë, përfshirë edhe delegatët e LDK-së në Kuvendin Komunal të Mitrovicës”, ka shkruar Plakolli në Facebook.

Ndërsa kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, pak më parë në një postim në Facebook ka shkruar se “me 3% nuk punon as iPhone-i”, duke iu referuar rezultatit që LDK-ja kishte arritur në zgjedhjet lokale në Mitrovicë.