Lajme

Instituti i Gjuhës dhe Kulturës Italiane në UP bëhet anëtare në Këshillin Evropian për Gjuhët

02/04/2026 10:14
nga:Sh R

Instituti i Gjuhës dhe Kulturës Italiane në Universitetin e Prishtinës është pranuar si anëtar institucional me të drejta të plota në Këshillin Evropian për Gjuhët (CEL/ELC), një rrjet prestigjioz evropian i universiteteve dhe institucioneve të gjuhëve.

Ky anëtarësim rrit vizibilitetin ndërkombëtar të Universitetit të Prishtinës, krijon mundësi të reja për bashkëpunim akademik, projekte dhe zhvillim profesional për studentët dhe stafin, si dhe përfaqëson një hap tjetër përpara drejt integrimit akademik evropian, transmeton Klankosova.tv.

Për këtë arritje ka reaguar edhe ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci.

“Ne jemi të vendosur që, si Ministri e Arsimit, të mbështesim çdo iniciativë dhe vullnet për avancimin e arsimit në Kosovë, ku gjuhët luajnë një rol thelbësor. Urime Universitetit të Prishtinës për këtë arritje të re!”, ka shkruar ajo në Facebook.