Arsenali ka vënë në shënjestër mesfushorin italian Sandro Tonali.
Sipas medieve britanike, “Topçinjtë” kanë kryer një sondazh fillestar me Newcastle United për të kuptuar mundësitë e një transferimi.
Megjithatë, drejtuesit e Newcastle nuk kanë ndërmend të shesin ish-lojtarin e Milanit në ditën e fundit të afatit dimëror dhe kanë vendosur një vlerë prej rreth 100 milionë eurosh për kartonin e tij.
Si pasojë, Tonali nuk pritet të largohet nga Newcastle në këtë afat kalimtar, ndërsa çdo diskutim i mundshëm është shtyrë për në verë.
Burime pranë klubit anglez bëjnë të ditur se një marrëveshje e tillë është praktikisht e pamundur të realizohet në pak orë, veçanërisht duke pasur parasysh se trajneri Eddie Howe e konsideron Tonalin një element kyç të projektit teknik.
Për sezonin e ardhshëm, interesim për mesfushorin italian ka shfaqur edhe Juventusi, i cili synon përforcimin e repartit të mesfushës.
Megjithatë, klubi torinez pritet ta ketë të vështirë të përballojë konkurrencën e Arsenalit, që gëzon potencial ekonomik më të madh.


