Lajme

Vendimi i KQZ-së për Listën Serbe/ Lama: Gabim strategjik politik i VV-së dhe partive tjera – priten pasoja

02/03/2026 15:18
nga:G B

Ish diplomatja, Alma Lama, në një intervistë për Gazeta Blic, ka folur për vendimin e KQZ-së për mos ta certifikuar rezultatin e zgjedhjeve për deputetët e Listës Serbe.

Ajo ka thënë se është gabim strategjik politik i VV-së dhe partive të tjera, që i mohojnë të drejtën Listës Serbe për përfaqësim në parlament.

Sipas saj, nuk është e qartë pse po bëhet kjo lojë politike, se ku është qëllimi, por që priten pasoja e ndëshkime për Kosovën.

“Mendoj se është një gabim strategjik politik që po e bën VV dhe partitë tjera, të cilët për shkak të frikës nga VV votojnë njëjtë, për t’i mohuar komunitetit serb përfaqësimin në parlament, përfaqësim që është i garantuar me Kushtetutë dhe nuk e kam të qartë pse po ndodhë kjo, pse kjo lojë politike, cili është qëllimi. Nëse është qëllimi i mosrespektimit të Kushtetutës dhe i rrëzimit të rendit kushtetues, atëherë është e kuptueshme por pse duhet të ndodhë kjo. Sigurisht që do të priten sanksione dhe ndëshkime për Kosovën nëse vazhdohet me këtë lloj sjellje dhe besoj se reagimet e para kanë ardhur, ishte goxha problematike deklarata e SHBA-ve, po kështu edhe e BE-së. Cili është qëllimi duhet ta thonë ata që po i bëjnë këto veprime por e di që nuk është në interes të Kosovës që të bëjë veprime ku nuk respektohet Kushtetuta dhe marrëveshja ndërkombëtare që Kosova ka bërë për shpalljen e pavarësisë dhe obligimet në raport me të drejtat e respektimit të minoriteteve”, ka thënë ajo për Gazeta Blic.

Lama po ashtu ka folur dhe për vendimin e Kushtetueses për zgjedhjen nënkryetar të Nenad Rashiq, teksa ka thënë se ajo ka qenë e qartë por që është problematike pse e ka bërë VV-së, teksa ka thënë se mund të jetë objektiv i VV-së Republika e Tretë, “që do të thotë shkatërrimi i kësaj ngrehine më këtë Kushtetutë, mirëpo pasojat do të jenë të jashtëzakonshme dhe shumë negative për Kosovën”.

“Mendoj se mos respektimi i Kushtetutës në rastin e zgjedhjes së nënkryetarit nga komuniteti serb është i qëllimshëm sepse Kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit kanë qenë shumë të qarta dhe s’ka pasur nevojë fare që të shkohet në Gjykatën Kushtetuese për sqarime, por meqë kanë dashur sqarime, sqarimet janë po ato, që nënkryetari i takon partisë që ka më shumë deputetë nga komuniteti serb në këtë rast Lista Serbe. Është shumë problematike të kuptohet pse po bëhet kjo, ndoshta është objektiv i LVV-së Republika e Tretë që do të thotë shkatërrimi i kësaj ngrehine më këtë Kushtetutë, mirëpo pasojat do të jenë të jashtëzakonshme dhe shumë negative për Kosovën, besoj qëllimi është aty. Nëse është thjeshtë një lojë politike për vota, atëherë zgjedhjet kanë përfunduar dhe nuk po e shoh me kuptim se pse, përveç për prodhimin e ndonjë krize tjetër, për të mos krijuar institucionet dhe për të vazhduar të qëndrojnë në krye të qeverisë z.Kurti në mënyrë krejt të paligjshme”, ka deklaruar Alma Lama./Gazeta Blic/

 

Mos certifikimi i Listës Serbe/ Ymeri: Sinjal i rrezikshëm dhe i dëmshëm se nuk respektohet Kushtetuta e ligjet