Antonio Conte ka ngritur edhe një herë alarmin për agjendën tepër të ngarkuar të futbollit modern.
Trajneri i Napolit u shpreh i zhgënjyer nga mungesa e veprimeve konkrete, pavarësisht se të gjithë aktorët e futbollit bien dakord se situata është problematike.
“Mendoj se të gjithë jemi plotësisht dakord për këtë pikë. Problemi është se është e vështirë të flasësh hapur, madje edhe të marrësh një qëndrim. Të gjithë flasin, por në fund askush nuk bën asgjë. Kjo është e vërteta”, deklaroi Conte.
Sipas tij, edhe pse institucionet janë të vetëdijshme për rrezikun që sjell numri i madh i ndeshjeve, mungon vullneti për ndryshim real.
“Do të vazhdojmë kështu, duke e ditur se nuk ka asgjë që mund të bëjmë. Institucionet janë aty”, shtoi tekniku italian.
Conte përmendi edhe një shembull nga jashtë Italisë, duke theksuar se Federata gjermane po përpiqet të marrë një qëndrim më aktiv.
“Lexova se federata gjermane po përpiqet të bëjë diçka. Por është e vështirë të veprosh individualisht, si trajner apo si lojtar. Këto janë çështje që nuk duhet të bien mbi ne”, u shpreh ai.
Trajneri i Napolit nuk i kurseu as ironitë, duke iu referuar deklaratave të Massimiliano Allegrit:
“Allegri tha të kundërtën? Nuk e di çfarë ka thënë, por ai po luan shumë pak…”.
Ndërkohë, pas frikës së madhe për lëndimin e kapitenit Giovanni Di Lorenzo, Conte qetësoi tifozët, duke konfirmuar se testet mjekësore përjashtuan çdo problem serioz.
“Buzëqeshjet nuk duhet të mungojnë kurrë. Para, gjatë dhe pas ndeshjes ekziston stresi i punës dhe grumbullimi i lodhjes, i cili është i vështirë të fshihet. Gjithmonë duhet të jesh optimist dhe të kërkosh zgjidhje, edhe në situatat më të vështira”, përfundoi Conte.


