Lajme

Kosova nuk përfitoi milionat e BE-së, Gërxhaliu: Goditje për ekonominë – shkuarja sërish në zgjedhje, fiasko për vendin

02/03/2026 10:15
nga:G B

Ish kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, njëherësh ekspert i ekonomisë, ka folur për humbjen e mundësisë nga Kosova, për të përfituar nga 171 milionë euro të ndara nga BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Ai në një intervistë për Gazeta Blic se kjo do të lë gjurmë të mëdha në të ardhmen.

“Mungesa e stabilitetit politik dhe mos formimi i institucioneve pas zgjedhjeve edhe të shkurtit po edhe të dhjetorit 2025 e ka goditur Kosovën në forma të ndryshme, nuk është vetëm aspekti politik apo vetëm gjeostrategjik por janë dhe efekte enorme negative dhe sociale. Fakti që për një kohë të gjatë kemi qenë nën masa të BE-së, është e para, mungesa e institucioneve për të ratifikuar marrëveshjet për BE-në, është e dyta, dhe e treta kur analizohet se kanë qenë prioritet për t’u zhvilluar sektori privat dhe projektet kapitale me rëndësi të pakontestuar, janë dëme që do të lënë gjurmë edhe në të ardhmen”, tha ai.

Gërxhaliu theksoi se është shqetësuese se nuk ka garanci për formim të institucioneve dhe përpos humbjes nga përfitmi nga 171 milionë eurot, Kosova po humb edhe fondet e IPA-s dhe Banka Botërore.

“Ajo që është më shqetësuese që edhe më tutje kalkulohet për pushtet dhe poena politik dhe jo për shtet e për qytetarë, nuk ka garanci që do të kemi së shpejti institucione të cilat do të merren me këtë ratifikim. Këtu kemi të bëjmë jo vetëm me 171 milionë euro por ka edhe projekte tjera si nga fondet IPA nga vitet 2022 e 2021 dhe nga Banka Botërore që priten të ratifikohen në Kuvend, që në mungesë të institucioneve janë në pritje dhe kjo pritje do t’i kushtojë Kosovës në këtë kohë kur kemi nevojë për infuzion financiar e projekte kapitale, ku do të forcohet pozita e sektorit privat dhe jo adresa e vetme për sektorin privat të jenë bankat komerciale apo forma të tjera. Kur krejt kësaj i shtohet fakti që kemi inflacion 5.3 për qind, besoj që është koha kur duhet të mendohet më shumë për shtet dhe jo për pushtet”, vlerësoi ai për Gazeta Blic.

Ai shton se duhet të lutemi që të mos ketë sërish zgjedhje, sepse do të ishte fiasko për vendin në të gjitha aspektet.

“Duhet të lutemi që Kosova të mos shkojë prapë në zgjedhje, edhe pse shumë rrethana na adresojnë në atë rrugë, por edhe një palë zgjedhje do të ishin një fiasko për Kosovën në aspektin politik, ekonomik, social dhe mbi të gjitha integrues”, deklaroi Safet Gërxhaliu./Gazeta Blic/