Kozinka duket si çdo fshat tjetër në rajonin rus të Belgorodit. Shtëpi me tulla, një shkollë dhe një kopsht fëmijësh, si dhe një dyqan ushqimor me orar të shënuar në derë. Por shtëpitë janë të errëta dhe dyqani nuk hapet kurrë.
Fshati, i vendosur më pak se një kilometër nga kufiri me Ukrainën, u mbyll nga autoritetet vitin e kaluar. Nga rreth një mijë banorë sa kishte dikur, sot kanë mbetur më pak se dhjetë, që jetojnë aty me rrezikun e tyre.
Autoritetet u premtuan të evakuuarve kompensim për shtëpitë e tyre, por shumica ende janë në pritje. Forcat ukrainase kanë hyrë në Kozinka dy herë, në vitet 2023 dhe 2024. Një pjesë e fshatit u shkatërrua gjatë luftimeve, por sipas banorëve të mbetur, civilët nuk ishin objektiv i sulmeve.
Alexandra Severina, një ish-banore 87-vjeçare, kujton me një buzëqeshje të zbehtë ushtarët ukrainas që hynë në fshat me automjete të blinduara. Ata konfiskuan telefonat celularë, por i lanë të grumbulluar nën një pemë, që banorët t’i merrnin pasi të tërhiqeshin.
“Ne gjithmonë kemi jetuar në harmoni me ukrainasit. Ata janë njerëz të mirë”, thotë Katerina Matveyevna, një nga të paktët që kanë mbetur në atë që ka mbetur nga Kozinka. Si shumica e banorëve në zonat kufitare, ajo flet surzhyk – një dialekt që përzien rusishten dhe ukrainishten – dhe ka miq e të afërm në anën tjetër të kufirit.
Dikur, ata këndonin së bashku këngë të Krishtlindjeve dhe kalonin kufirin për të bërë pazar: salçiçet ishin më të lira në Ukrainë, ndërsa benzina në Rusi.


