Lajme

Opozita s’ka vija të kuqe, por do marrëveshje politike për Presidentin

02/03/2026 08:41
nga:G B

Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës po rikthehet në qendër të debatit politik, në një kohë kur vendi ende ndodhet në fazën e konstituimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve.

Procesi, i cili kërkon konsensus të gjerë politik dhe respektim të procedurave kushtetuese, po shoqërohet me qëndrime të kujdesshme nga partitë parlamentare, të cilat theksojnë nevojën për dialog, marrëveshje politike dhe një figurë unifikuese në krye të shtetit.

Në këtë kontekst, mbetet e hapur çështja e kandidaturave dhe mbështetjes eventuale ndërpartiake për postin e Presidentit.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami, për FrontOnline ka deklaruar se PDK nuk ka se si të flasë për emra konkretë për President të vendit, përfshirë edhe Vjosa Osmanin, pa pasur fillimisht një propozim zyrtar dhe një marrëveshje politike ndërmjet subjekteve parlamentare.

Behrami ka theksuar se procesi duhet të nisë me propozime të qarta nga partitë politike, duke veçuar përgjegjësinë e partisë fituese të zgjedhjeve.

“Ne nuk mundemi me fol për një emër i cili akoma zyrtarisht nuk është propozuar nga askush. Ne po presim që partia fituese me propozu emra për President, besoj edhe opozita ka emra për President”, ka deklaruar ai

Sipas deputetit të PDK-së, zgjedhja e Presidentit nuk mund të bëhet pa një marrëveshje politike gjithëpërfshirëse dhe pa konsensus.

“Pa marrëveshje politike nuk e votojmë askënd për President të Kosovës”, ka theksuar Behrami.

Ai ka shtuar se PDK nuk pranon imponime në këtë proces, por kërkon dialog dhe kompromis për zgjedhjen e një figure që i plotëson kriteret kushtetuese dhe që mund të shërbejë si faktor unifikues.

“Nuk pranojmë imponim, pranojmë vetëm dialog dhe kompromise për një figurë unifikuese qysh e kërkon edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, ka përfunduar Behrami.

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Bexhet Xheladini, ka deklaruar se partia ende nuk ka marrë një qëndrim zyrtar sa i përket zgjedhjes së Presidentit të vendit dhe nëse do ta votojë Vjosa Osmanin për këtë post.

Xheladini ka theksuar se është herët për të folur për një vendim konkret, duke sqaruar se çështja ende nuk është diskutuar në organet drejtuese të partisë.

“Kryesia nuk ka marrë akoma qëndrim dhe është herët të flitet për këtë çështje. Ne jemi të gatshëm të ulemi dhe të bisedojmë për çështjen e Presidentit”, ka deklaruar ai

Sipas tij, mënyra e vendimmarrjes brenda LDK-së varet nga konteksti politik dhe nga ajo nëse çështja lidhet me një koalicion apo jo.

“Nëse bëhet fjalë për koalicion, atëherë Këshilli i Përgjithshëm vendos e nëse bëhet fjalë për diçka tjetër vendos Kryesia dhe i respektoj vendimet e tyre”, është shprehur Xheladini.

Ai ka siguruar se LDK nuk do të jetë pengesë në procesin e krijimit të institucioneve të reja, pavarësisht zhvillimeve politike që priten në periudhën në vijim.

“LDK nuk do t’i bllokojë formimin e institucioneve”, ka përfunduar Xheladini.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Albana Bytyqi, për FrontOnline ka deklaruar se grupi parlamentar i AAK-së ende nuk ka një qëndrim për zgjedhjen e Presidentit të vendit dhe për çështjen nëse do të votohet Vjosa Osmani, duke theksuar se kjo temë do të trajtohet vetëm kur të jetë pikë zyrtare e rendit të ditës në Kuvend.

Bytyqi ka theksuar se aktualisht fokusi institucional duhet të jetë në përmbylljen e proceseve themelore shtetërore.

“Si grup parlamentar, çështjen e zgjedhjes së Presidentit do ta trajtojmë në momentin kur ajo të jetë pikë zyrtare e rendit të ditës në Kuvend. Deri atëherë, prioritet mbetet përmbyllja e procesit të konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë, përgjegjësi kjo që i takon partisë së parë të dalë nga zgjedhjet”, ka deklaruar.

Sipas deputetes së AAK-së, qytetarët e Kosovës po përballen me sfida të rëndësishme, ndaj institucionet duhet të përqendrohen në çështjet që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e tyre.

“Qytetarët sot përballen me sfida të rëndësishme që lidhen me zhvillimin ekonomik, stabilitetin institucional dhe çështje të tjera me interes publik, ndaj fokusi institucional duhet të jetë në këto procese themelore”, ka theksuar Bytyqi.

Ajo ka bërë të ditur se qëndrimi politik i AAK-së lidhur me zgjedhjen e Presidentit do të publikohet vetëm në momentin kur të hapet zyrtarisht debati dhe vendimmarrja për këtë çështje në Kuvend.

“Qëndrimin tonë politik si deputetë të AAK-së do ta bëjmë të ditur në kohën e duhur, kur të vijë momenti i diskutimit dhe vendimmarrjes për këtë çështje”, tha Bytyqi.