Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, e ka kritikuar ashpër KQZ-në për vendimet e fundit.
Ai ka vlerësuar se ky institucion është shndërruar në një institucion të politizuar dhe të paaftë.
Në profilin e tij në “Facebook”, Kryeziu ka shkruar se KQZ-ja me veprimet dhe mosveprimet e saj po e dëmton drejtpërdrejt demokracinë zgjedhore dhe interesat kombëtare të Republikës së Kosovës.
“KQZ është shndërruar në një institucion të politizuar dhe të paaftë, i cili me veprimet dhe mosveprimet e veta po e dëmton drejtpërdrejt demokracinë zgjedhore dhe interesat kombëtare të Republikës së Kosovës. Papërgjegjësia e anëtarëve të saj dhe mungesa e theksuar e profesionalizmit kanë cenuar rëndë integritetin e procesit zgjedhor, duke e zhbërë reputacionin që Kosova kishte ndërtuar si shembull pozitiv në zhvillimin e demokracisë zgjedhore, përfshirë edhe vlerësimet e partnerëve ndërkombëtarë”, ka shkruar ai, duke treguar se cili nga vendimet e KQZ-së ishte skandaloz.
“Vendimi i radhës, skandaloz dhe i pajustifikueshëm, për të mos publikuar rezultatet përfundimtare për Listën Serbe përbën cenim të rëndë të së drejtës së përfaqësimit politik dhe ka shkaktuar reagime të ashpra nga bashkësia ndërkombëtare. Ky veprim po ashtu rrezikon të prodhojë vonesa serioze në procesin e certifikimit të zgjedhjeve, vonesa këto të papranueshme që po e shtyjnë vendin drejt konsumimit të afateve kushtetuese dhe po e rrezikojnë drejtpërdrejt konstituimin e institucioneve, duke e futur Kosovën në prag të një krize të re institucionale”, ka shkruar ai.


