Sot, më datë 02.02.2026, në Pikëkalimin Kufitar Merdare, zyrtarët e Doganës së Kosovës, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit të Narkotikëve, kanë realizuar një kontroll të detajuar ndaj një automjeti të dyshuar në hyrje të territorit të Republikës së Kosovës.
Gjatë kontrollit të detajuar, janë zbuluar të fshehura rreth 2 (dy) kilogramë lëndë narkotike, për të cilën dyshohet se është kokainë. Substanca ishte e fshehur në mënyrë të sofistikuar brenda automjetit.
Për realizimin e kontrollit të thelluar është përdorur edhe skaneri X-ray, donacion i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pajisje e cila ka lehtësuar ndjeshëm punën e zyrtarëve dhe ka mundësuar lokalizimin e saktë të vendit ku ishte fshehur lënda narkotike.
Rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente, ndërsa ndaj personave të përfshirë do të ndërmerren veprimet e mëtejme ligjore, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës mbeten të përkushtuara në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të narkotikëve, përmes bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional, shkëmbimit të inteligjencës dhe përdorimit të kapaciteteve moderne teknike, me qëllim parandalimin e veprimtarive ilegale dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe të kufijve të Republikës së Kosovës.


