Lajme

LVV thotë se Rama po e bllokon unazën e kryeqytetit, ekspertët vlerësojnë se projekti ka mangësi

02/02/2026 10:23
nga:G B

Unaza kryeqytetit, është një projekt që përmendet tash e sa vite.

Mirëpo, puna akoma nuk ka nisur.

Drejtuesit e kryeqytetit projektin e konsiderojnë të domosdoshëm, mirëpo fajin për mos nisjen e punëve ia hedhin Qeverisë.

“Nuk ka nevojë për kurfar zvarritje apo zgjatje sepse në fund të ditës qytetarët po humbin. Se vetëm me pas parasysh se 187 mijë vetura hyjnë në territor të Prishtinës gjatë 24 orëve, nëse kishte me qenë kjo unazë e ndërtuar atëherë komplet një pjesë me thanë 40 % shkarkohen nuk kanë nevojë me hy prej “Veterniku”t nëpër qendër të Prishtinës për me dal në “Kodrën e Trimave” apo “Kolovicë”, por shkojnë nëpërmjet unazës”, thotë Gëzim Kastrati – drejtor i Transformimit në Prishtinë.

Mirëpo qëndrim të kundërt me drejtorin e transformimit në kryeqytet, ka partia në pushtetin qendror, Lëvizja Vetëvendosje.

Asamblisti i LVV-së, Besart Krasniqi, thotë se ky projekt po bllokohet dhe po neglizhohet nga vet kryetari Rama.

“Unaza e qytetit është një projekt shumë i rëndësishëm dhe serioz, por e vërteta është që kryetari Rama nuk është aspak serioz në lidhje me fillimin e këtij projekti madhorë për kryeqytetin për Prishtinën. Andaj ky i fajëson të tjerët për bllokadë, kurse bllokuesi i vërtetë është kryetari Rama duke mos u marrë seriozisht me projektet e mëdha të Prishtinës e sidomos me projektin unaza e kryeqytetit. I bëjë thirrje kryetarit Rama, që të marrë hapa konkrete në lidhje me fillimin e këtij projekti madhorë dhe të lë anash fjalën “bllokadë” që po e përsërit edhe këtë mandate”, ka thënë ai.

Projektet për unazat e kryeqytetit, sipas profesorit Nol Deda kanë shumë mangësi.

“Projektet e tilla gjithmonë janë lehtësi edhe e ruajnë sigurinë e komunikacionit rrugorë. E para unaza e Prishtinës ende nuk është e definuar se nga është, e dyta siç janë tu e quajtur këta zona e jashtme dhe e brendshme. Unaza e jashtme lidhet me rrugët regjionale dhe me rrugët nacionale, pastaj edhe me autoudhën, pastaj kjo na mundëson ne lidhjen midis unazës së parë dhe asaj të dytë, përmes rrugëve qofshin ato një kahore apo dy kahore”, vlerëson Deda.

Televizioni ka provuar gjatë gjithë javës që të marrë edhe një qëndrim nga ministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, mirëpo ai nuk është përgjigjur.