Pas rezultatit të 28 dhjetorit 2025, Lumir Abdixhiku nuk zgjodhi mekanizmin klasik të përgjegjësisë politike – dorëheqjen e parevokueshme – por një variant hibrid, të cilin vetë e quajti “ofrim dorëheqjeje”, duke e shndërruar debaklin elektoral të LDK-së në një garë të brendshëm për fatin e tij.
Nga 171 mijë vota në zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit 2025, Lidhja Demokratike e Kosovës pësoi regres drastik në zgjedhjet e parakohshme të mbajtura vetëm njëmbëdhjetë muaj më vonë, më 28 dhjetor 2025. Një nga performancat më të dobëta të subjektit që nga viti 2021.
Brenda vitit 2025, partia zbriti në rreth 50 mijë vota, duke shënuar një rënie prej gati 5 pikë të përqindjes. Rezultati pati kosto jashtëzakonisht të lartë në përfaqësimin politik të partisë në raport me legjislaturën jetëshkurtër të 2025-ës.
Abdixhiku, si kryetar i Lidhjes Demokratike dhe duke marrë përsipër përgjegjësinë për numrat dëshpërues të përkrahjes qytetare, ia dorëzoi Kuvendit dilemen nëse delegatët dëshironin largimin e tij, duke e paraqitur procesin si “sqarim drejtimi”. Megjithatë, vendim binte në kundërshtim të drejtpërdrejtë me deklaratat e tij të mëhershme, ku ai fliste për “një standard në LDK”.
“Ka një standard në LDK që është vendosur prej tjerëve që rezultatet e rënda e jo të mira largohemi, vazhdojmë, vijnë tjerët”, thoshte Abdixhiku në Opinion pata gazetari Blendi Fevziu.
Përfundimisht, votëbesimi prodhoi një verdikt të ngushtë, që e ndan LDK-në pothuajse më dysh: një pjesë që pranoi vazhdimësinë dhe një pjesë tjetër, pothuajse po aq të madhe, që kërkoi ndryshimin e lidershipit brenda partisë.
Në krahun kritik, Hykmete Bajrami, gjatë fjalimit në Kuvendin e LDK-së, rikujtoi pikërisht këtë standard të vendosur nga vetë partia dhe theksoi se kishte qenë e vetmja që kërkoi publikisht respektimin e tij.
“Jam e vetmja që i kam kërkuar publikisht kryetarit dorëheqjen pas rezultatit të 28 dhjetorit, rezultat i cili nuk mund të injorohet. Kam ofruar edhe dorëheqjen time”, ka thënë Bajrami gjatë fjalës së saj në mbledhjen e Kuvendit të LDK-së, ku po vendoset për ofrimin e dorëheqjes së Abdixhikut. Ajo shtoi se rezultati i 28 dhjetorit “nuk mund të injorohet”, dhe rikujtoi se si ish-kryetari Isa Mustafa e kishte marrë përgjegjësinë në 2021, me dorëheqje të parevokueshme.
“Asnjëri nga ju nuk e përmendi faktin se si ka ardhur deri te marrja e mandatit të kryetarit Abdixhiku. Ka pasur një rezultat të rëndë zgjedhor në vitin 2021; Isa Mustafa e ka marrë përgjegjësinë, jo vetëm duke thënë se e merr përgjegjësinë, por ka dhënë dorëheqje duke mos kërkuar që dorëheqja e tij të votohet, ka shkuar në shtëpi dhe ne delegatët i kemi vazhduar punimet dhe kemi zgjedhur kryetarin e ri”, tha ajo.
Ndër kritikët e hapur të Abdixhikut ishte edhe anëtari i kryesisë së kësaj partie Avdullah Hoti, i cili kishte shapallur edhe kandidaturën për të parin e LDK-së.
Në një intervistë të dhënë së fundi në Rubikon, Hoti deklaroi se, ndonëse LDK-ja nuk funksionon me logjikën e ndëshkimeve të shpejta personale, përgjegjësia, në fund, përqendrohet te kryetari.
“Ne s’jemi parti që heqim koka të liderëve të partisë. Ne riorganizohemi pas rezultateve zgjedhore.”
“LDK-ja ka strukturë të shtrirë në të gjithë Kosovë, por në raste të tilla kjo përgjegjësi mblidhet te kryetari i partisë dhe ai e merr përgjegjësinë, sepse ai është në krye të procesit. Edhe nëse diçka nuk ka funksionuar diku në një degë, në fund e merr përgjegjësinë kryetari, sepse ai është personi që duhet t’i vë në lëvizje krejt makinerinë e partisë politike. Ky është në krye të partisë dhe një përgjegjësi e tillë është marrë edhe në të kaluarën. Në vitin 2021, kryetari Mustafa atëherë, pas rezultatit zgjedhor, e ka marrë përgjegjësinë e plotë për rezultatin zgjedhor dhe ka dhënë dorëheqje.” – u shpreh ai.


