Dëmtime të mëdha u shkaktuan në një ndërtesë shumëkatëshe dhe u mobilizuan ekipet e shpëtimit në Bandar Abbas, ndërsa disa orë më vonë një shpërthim në Ahvaz vrau katër anëtarë të një familjeje.
Irani është në gatishmëri të lartë pasi një shpërthim i fuqishëm tronditi një ndërtesë në portin e Bandar Abbas, në Gjirin Persik. Autoritetet iraniane mohuan kategorikisht raportet se komandanti i Marinës së Gardës Revolucionare ishte në shënjestër. Po ashtu, një shpërthim i dytë ndodhi në Iranin jugor, në qytetin e Ahvazit, ku katër anëtarë të së njëjtës familje humbën jetën.
Sipas raporteve fillestare, shpërthimi në Bandar Abbas shkaktoi dëme të mëdha në dy kate të ndërtesës tetëkatëshe, si dhe në makina të parkuara dhe dyqane ngjitur. Zjarrfikësit dhe ekipet e shpëtimit nxituan në vendngjarje, ndërsa autoritetet rrethuan zonën për arsye sigurie dhe për të hetuar shkaqet.
Agjencia e lajmeve Tasnim raportoi se “informacioni që qarkullon në mediat sociale se komandanti i Marinës së Gardës Revolucionare ishte në shënjestër është plotësisht i rremë”, duke hedhur poshtë skenarët e një sulmi ndaj një zyrtari të lartë ushtarak.
Disa orë më vonë, Iran International raportoi se një shpërthim i dytë ndodhi në një ndërtesë banimi katërkatëshe në lagjen Kianshahr të Ahvazit. Katër persona u vranë, ndërsa dy të tjerë një fëmijë trevjeçar dhe një grua u nxorën të gjallë nga rrënojat dhe u dërguan në spital.
Kreu i Shërbimeve të Zjarrfikësve dhe Sigurisë së Ahvazit, Babak Rabei, konfirmoi se viktimat ishin një baba, një nënë dhe dy fëmijët e tyre.
Autoritetet iraniane po vazhdojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet e të dy shpërthimeve, dhe ende nuk është bërë e qartë nëse ekziston ndonjë lidhje midis dy incidenteve.
Top Channel

