Lajme

Jashari: Kurti po ndërton narrativën për ta fajësuar opozitën për dështimin institucional

01/30/2026 17:43
nga:Sh R

Analisti politik, Shemsi Jashari, vlerëson se deklarimet e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, se është i gatshëm të bashkëpunojë me partitë opozitare janë të njëjta sikur ato të vitit të kaluar.

Jashari, i ftuar në “FIVE” në Dukagjin, u shpreh se Kurti nuk ftoi partitë opozitare në takim që sipas tij ekziston mundësia që të krijojë narrativën se qysh tash opozita është fajtore për një dështim të mundshëm të krijimit të institucioneve, njofton Dukagjini.

“Për deklarimet e Kurtit nuk ka ndryshuar asgjë nga ajo që kemi parë edhe gjatë vitit 2025 kur kemi pasur atë bllokadën e gjatë – edhe sot Kurti u shpreh se është i gatshëm por kur dikush që është në pushtet thotë se është i gatshëm por nuk bën ftesë, nuk thërret a propozon dhe nuk kërkon prej partive tjera që të takohet dhe të merr veprime konkrete është vetëm një qëllim që të krijojë narrativën qysh tash se opozita është fajtore për një dështim të krijimit të institucioneve dhe zgjedhjes së presidentit kur t’i vije koha sepse nuk ka nevojë që të jetë i gatshëm nese nuk ka qëllim që të ndërmarrë veprime”, u shpreh Jashari.

Jashari, mes tjerash, vlerëson se Kurti nuk është duke e mbështetur Osmanin për një mandat të dytë si presidente për çka sipas tij rrezikojmë që të kemi sërish një ngërç.

“Sikur Kurti të thoshte se po jam i gatshëm dhe i ftojë partitë që të takohemi dhe të marrë propozimet e tyre atëherë do kishim parë një sinjal që me të vërtetë zotëri Kurti ka filluar të pjekët politikisht dhe e ka përnjëmend që të ndërtojë institucionet. Por, fakti që nuk po ofron mbështetje në mandatin e dytë të presidentes e tanishme lë shumë paqartësi se si do të rrjedhë procesi dhe nëse vazhdon me këtë qasje duke mos bërë diskutime të mirëfillta me partitë tjera duke e ditë që nuk mund të bëhet zgjedhja e presidentit pa partitë opozitare rrezikojmë që të kemi sërish një ngërç”, u shpreh Jashari.