Lajme

Podujeva me të gjitha kategoritë e shoqërisë në mbështetje të marshit “Drejtësi, jo politikë”

01/30/2026 15:59
nga:Sh R

Përfaqësuesit e platformës Liria ka Emër, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, kanë vizituar sot Komunën e Podujevë, në kuadër të mobilizimit qytetar për marshin “Drejtësi, jo politikë”, i cili do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë.

Gjatë qëndrimit në Podujevë, përfaqësuesit e platformës janë pritur nga Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, si dhe nga përfaqësues të organizatave të dala nga lufta, Organizata e të Burgosurve Politikë, organizata joqeveritare, përfaqësues të komunitetit të biznesit, sipërmarrës dhe artistë të njohur të komunës.

Mbështetje e veçantë për marshin u shpreh edhe nga organizata e veteranëve të luftës, organizata qytetare “Demokracia Fillon Këtu”, nga komuniteti i biznesit në Podujevë, si dhe nga artisti i njohur Bedri Kadriu, të cilët theksuan rëndësinë e një fronti të gjerë shoqëror në mbrojtje të drejtësisë dhe dinjitetit të luftës çlirimtare.

Përfaqësuesja e platformës, Eliza Hoxha, vlerësoi lart këtë mbështetje gjithëpërfshirëse nga Podujeva.

“Podujeva sot po dëshmon se kërkesa për drejtësi është zë i të gjitha kategorive të shoqërisë. Kur veteranët, të burgosurit politikë, bizneset, artistët dhe qytetarët bashkohen, kjo kauzë merr forcën e ndërgjegjes kolektive”, ka thënë Hoxha.

Edhe përfaqësuesi i platformës, Ismail Tasholli, theksoi se mbështetja e gjerë nga Podujeva është mesazh i qartë për gjithë Kosovën.

“Marshi ‘Drejtësi, jo politikë’ nuk i përket një grupi apo një subjekti, por i përket gjithë shoqërisë. Mbështetja e parezervë nga Podujeva tregon se lufta jonë çlirimtare dhe sakrifica e saj nuk mund të vihen në dyshim”, ka thënë Tasholli.

Platforma Liria ka Emër do të vazhdojë takimet dhe aktivitetet në të gjitha komunat e Kosovës, me synimin e ndërtimit të një mobilizimi sa më të gjerë qytetar për pjesëmarrje masive në marshin “Drejtësi, jo politikë”, më 17 shkurt në Prishtinë.