Dy raste me virusin vdekjeprurës Nipah në Indi kanë shtyrë autoritetet në Tajlandë dhe Malajzi të forcojnë kontrollet në aeroporte për të parandaluar përhapjen e infeksionit.
Por, çfarë është virusi Nipah dhe sa duhet të shqetësohen njerëzit?
Nipah është një infeksion i rrallë viral që përhapet kryesisht nga kafshët e infektuara, sidomos lakuriqët e natës që ushqehen me fruta, tek njerëzit. Ai mund të jetë pa simptoma, por shpesh është shumë i rrezikshëm, me një shkallë vdekshmërie nga 40% deri në 75%, në varësi të kapaciteteve të sistemit shëndetësor për zbulim dhe trajtim, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), shkruan A2.
Megjithëse mund të përhapet edhe nga njeriu te njeriu, kjo nuk ndodh lehtësisht, dhe shpërthimet zakonisht janë të vogla dhe relativisht të kontrolluara, sipas ekspertëve dhe Qendrës Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve. Vaksina të mundshme janë në zhvillim, por asnjëra nuk është miratuar ende.
Paul Hunter, profesor i mjekësisë në Norëich Medical School, thotë: “Është një nga shumë viruset që mbartin lakuriqët e natës, veçanërisht ata që ushqehen me fruta. Në të kaluarën është përhapur te njerëzit. Mendoj se shpërthimi i parë ka qenë rreth 20 ose 30 vite më parë, dhe që atëherë zakonisht kemi parë një ose dy shpërthime në vit”.
Nipah u identifikua për herë të parë në Malajzi në vitin 1999. Që atëherë, ka pasur shpërthime të vogla pothuajse çdo vit, kryesisht në Bangladesh. Edhe India përballet herë pas here me shpërthime sporadike.
Sipas Koalicionit për Inovacion në Gatishmërinë ndaj Epidemive (CEPI), që ndjek kërcënimet nga sëmundjet e reja dhe financon zhvillimin e mjeteve mjekësore, deri në dhjetor ishin regjistruar gjithsej 750 raste, nga të cilat 415 persona kishin humbur jetën.
Reuters ka ndjekur përhapjen e virusit Nipah në një seri reportazhesh në vitin 2023 me titullin “Bat Lands”.
“Shkakton një sëmundje shumë të rëndë dhe shkalla e vdekshmërisë ndryshon nga një shpërthim në tjetrin, por është në nivelin rreth 45 deri në 75 për qind. Nga ana tjetër, një pjesë e rasteve – deri në gjysmën e tyre – mund të mos kenë fare simptoma. Kështu që shkalla reale e vdekshmërisë për infeksion ndoshta është më e ulët se ajo e bazuar vetëm te rastet e identifikuara”, shpjegon Hunter.
Kur u identifikua për herë të parë në Malajzi, Nipah përhapej kryesisht përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me derra të sëmurë ose inde të kontaminuara. Më pas, përhapja më e zakonshme lidhet me kontaktin me atë që shkencëtarët e konsiderojnë strehuesin natyror të virusit: lakuriqët e natës që ushqehen me fruta. Më konkretisht, konsumimi i frutave ose produkteve të frutave që përmbajnë urinë ose pështymë nga lakuriqë nate të infektuar, konsiderohet burimi më i mundshëm i infektimit, sipas OBSH-së.
Përhapja nga njeriu te njeriu është konstatuar, kryesisht pas kontakteve të ngushta mes pacientëve të sëmurë dhe familjarëve ose kujdestarëve.
“Shumica e shpërthimeve nisin dhe shumica e rasteve të transmetimit ndodhin për shkak të kontaktit ose me një kafshë të infektuar, ose me diçka që është kontaminuar nga lakuriqët e natës që ushqehen me fruta”, thekson Hunter.
Simptomat fillestare të Nipah, si ethet, dhimbjet e kokës dhe dhimbjet muskulore, nuk janë specifike dhe mund të ngatërrohen me sëmundje të tjera. Më pas mund të shfaqen shenja neurologjike që tregojnë encefalit akut (inflamacion i trurit), ndërsa disa persona përjetojnë edhe probleme të rënda të frymëmarrjes.
Në rastet e rënda ndodhin kriza epileptike dhe pacienti mund të bjerë në koma brenda pak ditësh. Shumica e atyre që shërohen rikuperohen plotësisht, por disa përjetojnë probleme neurologjike afatgjata.
“Simptomat e hershme janë mjaft të paqarta. Mund të jenë çfarëdo në fakt: dhimbje fyti, temperaturë, ndjesi e përgjithshme dobësie, dhimbje sysh – gjëra që mund të shkaktohen nga shumë sëmundje ose viruse të ndryshme. Ajo që ndoshta shkakton më shumë vdekje quhet encefalit, që është infeksion dhe ënjtje e trurit. Kur shfaqet encefaliti, njeriu ndihet shumë keq. Ka temperaturë të lartë, dhimbje shumë të forta koke dhe mund të ketë fotofobi, kur drita të dhemb në sy. Kjo shpesh lidhet me rastet që përfundojnë me vdekje”, shprehet Hunter.
Edhe pse Nipah është një sëmundje e rrezikshme me shkallë të lartë vdekshmërie, deri tani nuk ka treguar shenja se po bëhet më i transmetueshëm mes njerëzve apo se përhapet lehtësisht në nivel global, thonë shkencëtarët. Megjithatë, sipas OBSH-së, ai mbetet një shqetësim i rëndësishëm për shëndetin publik, veçanërisht në vendet ku shpërthimet janë më të shpeshta.
Virusi mund të çojë gjithashtu në asgjësimin masiv të kafshëve të fermave, si derrat, që janë të ndjeshëm ndaj infeksionit. Shkencëtarët theksojnë se është pak e mundshme që të përhapet globalisht dhe shtojnë se kontrollet në aeroporte mund të jenë joefektive, pasi virusi ka një periudhë të gjatë inkubacioni: “Koha deri në shfaqjen e simptomave është rreth një deri në dy javë, ndonjëherë pak më shpejt, dhe ndonjëherë shumë më gjatë se kaq. Mendoj se rasti më i gjatë ka qenë 45 ditë. Kjo do të thotë që është shumë e vështirë të kontrollohet në aeroporte, sepse nëse një sëmundje ka një periudhë inkubacioni dyjavore, gjatë dy javëve të para pasi dikush e mbart infeksionin, nuk ka asnjë mënyrë për ta zbuluar”.
Aktualisht nuk ka vaksina apo trajtime të miratuara për Nipah, megjithëse disa kandidatë janë në faza testimi, përfshirë një vaksinë të zhvilluar nga shkencëtarët e Universitetit të Oksfordit që morën pjesë edhe në zhvillimin e një prej vaksinave kundër COVID-19. Vaksina e tyre kundër Nipah përdor të njëjtën teknologji dhe nisi testimet e fazës së dytë në Bangladesh në dhjetor, në bashkëpunim me Qendrën Ndërkombëtare për Kërkime mbi Sëmundjet Diarreike në Bangladesh, me financim nga CEPI.
“Nuk ka vaksinë të disponueshme aktualisht, megjithëse besoj se një e tillë është në zhvillim, dhe nuk ka trajtim specifik. Pra, nëse infektohesh, menaxhimi është mbështetës – përpiqemi t’i mbajmë njerëzit në jetë derisa të shërohen vetë, në vend që t’u japim diçka që e vret virusin”, shpjegon Hunter.


