Lajme

Kërkoi rritje të çmimit të rrymës rreth 21%, KESCO: Nuk është vendim përfundimtar tarifor

01/29/2026 16:55
nga:Sh R

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka publikuar aplikimet fillestare të kompanive energjetike KESCO, KEDS dhe KOSTT për kostot dhe të hyrat e lejuara maksimale për vitin 2026, duke hapur zyrtarisht procesin e shqyrtimit tarifor për vitin e ardhshëm.

Sipas dokumenteve të publikuara, vetëm në aplikimin e KESCO-s, si Furnizues i Shërbimit Universal, faktori korrigjues arrin vlerën mbi 49 milionë euro, ndërsa në aplikimin e KEDS-it kjo shifër është mbi 41 milionë euro.

Në total, kërkesat e këtyre kompanive tejkalojnë 90 milionë euro, çka, sipas vlerësimeve fillestare, mund të përkthehet në një rritje të mundshme të tarifave të energjisë elektrike afër 21 për qind.

Megjithatë, ZRRE ka bërë të ditur se këto shifra nuk përbëjnë vendim përfundimtar dhe se, në kuadër të procesit të shqyrtimit rregullator, ekziston mundësia që kërkesat të refuzohen pjesërisht ose të përshtaten para miratimit të tarifave përfundimtare.

KESCO ka sqaruar se aplikimi i saj tarifor është dorëzuar në përputhje me kalendarin dhe metodologjinë e miratuar nga ZRRE, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për rritje automatike të çmimit të energjisë, por për një kërkesë për njohjen e kostove të arsyetuara dhe të dokumentuara.

“Ne kemi dorëzuar aplikimin tonë tarifor në përputhje me kalendarin rregullator dhe metodologjinë e miratuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji. Në këtë fazë, aplikimi nuk përfaqëson një rezultat përfundimtar tarifor, por një kërkesë për njohjen e kostove të arsyetuara dhe të dokumentuara, të domosdoshme për të siguruar furnizim të qëndrueshëm dhe të pandërprerë për konsumatorët. Si furnizues, kostot tona janë në masë të madhe reflektim i kostove që krijohen përgjatë gjithë sektorit elektroenergjetik, përfshirë prodhimin, transmetimin, shpërndarjen, kushtet e tregut dhe obligimet rregullatore. Është e rëndësishme të theksohet se procesi i shqyrtimit tarifor është gjithëpërfshirës dhe përfshin vlerësimin e aplikimeve të dorëzuara nga të gjithë të licencuarit në sektor. Meqenëse këto aplikime janë ende në proces shqyrtimi dhe nuk janë konsoliduar nga rregullatori, është herët të komentohet mbi ndonjë shifër konkrete apo mbi nivelin e mundshëm të ndryshimeve tarifore. Bazuar në vlerësimet preliminare dhe në të dhënat aktualisht të disponueshme, kërkesa për të hyrat e lejuara maksimale për vitin 2026 është paraqitur në vlerë të përgjithshme prej rreth 528.8 milionë euro. Kjo shumë përfshin edhe rreth 49.5 milionë euro që lidhen me tejkalime të kostove të shkaktuara gjatë vitit 2025, të cilat janë rezultat i kushteve të tregut dhe faktorëve jashtë kontrollit të furnizuesit. Është e rëndësishme të theksohet se kjo vlerë përfaqëson një kërkesë për njohje të kostove dhe jo një vendim përfundimtar tarifor, ndërsa çdo vlerësim dhe miratim përfundimtar do të bëhet nga Zyra e Rregullatorit për Energji, në kuadër të procesit rregullator dhe konsultimit publik. Dhe vetëm pas vendimit përfundimtar nga Rregullatori për kostot e arsyeshme vazhdon procesi për reflektim tarifor”, ka njoftuar, Margarita Rashiti, zëdhënëse e KESCO-s.

Në rast se ZRRE aprovon kërkesën e KESCO-s këtë vit, kjo do të shënonte herën e tretë në katër vitet e fundit që çmimi i energjisë elektrike pëson rritje. Në vitin 2023, tarifat u rritën për 15 për qind, ndërsa në vitin 2024 pati ulje – 8 për qind për familjarët me konsum mbi 800 kilovatë dhe 3 për qind për konsumatorët komercialë dhe industrialë. Në vitin 2025, çmimi i energjisë u rrit sërish për 16.1 për qind.

Aktualisht, për konsumatorët familjarë që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në muaj, tarifa ditore është 9.05 centë për kilovat, ndërsa ajo e natës 3.88 centë. Për konsumin mbi 800 kilovatë, çmimi gjatë ditës është 15.43 centë për kilovat dhe gjatë natës 7.28 centë për kilovat.