Avokati Asdren Bytyqi ka deklaruar se kandidatëve të cilëve u janë hequr votat pas fillimit të rinumërimit, në aspektin ligjor u barazohen votat me numrin që rezulton nga rinumërimi i rregullt.
Megjithatë, sipas tij, çështja nuk përfundon vetëm në aspektin administrativ, pasi Prokuroria tashmë ka nisur hetimet penale.
“Në aspektin penal, Prokuroria ka filluar hetimet dhe besoj se shumë prej atyre deputetëve janë pjesë e hetimeve, për të shqyrtuar lidhjen e tyre me komisionerët, nëse i kanë korruptuar apo u kanë dhënë ryshfet, duke i drejtuar që t’i keqpërdorin votat për interesat e tyre”, ka deklaruar Bytyqi.
Ai ka theksuar se nëse këto veprime vërtetohen, edhe deputetët e përfshirë do të përballen me drejtësinë.
“Nëse kjo vërtetohet, edhe ata do të vijnë para ligjit dhe mund të akuzohen për veprën penale ‘dhënia e ryshfetit’, e cila parasheh dënim deri në 5 vjet burg”, ka shtuar avokati Bytyqi për GazetaBlic.


