Lajme

Berisha: Vendimi i Kushtetueses erdhi me vonesë, por duhet respektuar

01/28/2026 21:25
nga:Sh R

Veton Berisha nga Partia Liberale Egjiptiane ka deklaruar se të gjithë përfaqësuesit politikë janë të detyruar ta respektojnë Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se vendimi i fundit, ndonëse i vonuar, sjell qartësi për proceset institucionale në mandatin e ri.

I ftuar në Debat Plus, Berisha tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të duhej të ishte marrë më herët, pasi sipas tij kjo do të kishte shmangur zhvillime të tjera politike, përfshirë shkuarjen në zgjedhje.

Ai shtoi se vendimi nuk ka veprim prapaveprues dhe se është marrë në një moment të përshtatshëm, në prag të fillimit të mandatit të ri, duke ofruar qartësi për proceset që pritet të zhvillohen.

“Secili prej neve jemi të detyruar për ta respektuar Kushtetutën.. dhe mendoj se pak me vonesë ky vendimi sepse ndoshta do të duhej në atë kohën e shpjet të trajtohej në mënyrë që ne ndoshta rrjedhimisht nuk do të kishim shkuar në zgjedhje sepse ky vendim pastaj kanë rrjedh afatet për krijimin e qeverisë nuk kanë qenë numrat dhe pastaj tash normalisht është një vendim që nuk ka veprim prapaveprues”, deklaroi Berisha.

Sipas Berishës, institucionet dhe deputetët nuk do të veprojnë kundër vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.