Gazetari Branioslav Kërstiq ka reaguar ashpër ndaj nje vendimi i cili ishte marrë në Kuvend, për të cilin ka reaguar edhe Gjykata Kushtetuese së fundmi. Kërstiq e cilësoi atë si “tepër të dhimbshëm” dhe në kundërshtim me interesat e komunitetit serb në Kosovë.
Sipas Kërstiqit, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë ngritur dorën edhe një herë kundër interesave të komunitetit serb, duke vepruar, sipas tij, edhe në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.
Ai theksoi se qëndrimi i tij ndaj Listës Serbe është i njohur publikisht, duke deklaruar se çdo shqipfolës që e ka dëgjuar ndonjëherë e di mendimin e tij për këtë subjekt politik. Kërstiq e cilësoi Listën Serbe si një “listë kriminale” të regjistruar në Kosovë si parti politike, duke e lidhur atë drejtpërdrejt me situatën e sigurisë në veri të vendit.
Në deklaratën e tij, ai akuzoi Listën Serbe për përfshirje në armatosjen e të ashtuquajturës “mbrojtje civile” dhe “brigadës veriore”, duke shtuar se, sipas tij, institucionet shtetërore, përfshirë Qeverinë, Kryeministrin dhe shërbimet policore e ushtarake, janë në dijeni se kush qëndron pas këtyre strukturave.
Kërstiq ngriti gjithashtu pyetje lidhur me mungesën e arrestimeve, duke theksuar se, sipas tij, asnjë pjesëtar i Listës Serbe nuk është arrestuar, pavarësisht se disa prej tyre, siç u shpreh ai, “janë patriotë të romantizmit të sotëm që janë në pushtet”.


