Vullnet Bugaqku nga KDI në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic” ka folur në lidhje me procesin e rinumërimit të votave.
Bugaqku tha deri tani i gjithë procesi është duke shkuar mbi baza dhe mbi premisa të rregullta sa i përket rinumërimit.
“Pas vendimit të KQZ-së, të gjitha qendrat e votimit janë nënshtruar procesit të rinumërimit kjo për shkak se ka patur dyshime, janë raportu shumë vota të manipuluara për kandidatët për deputetë dhe rrjedhimisht në procedurë të përshpejtuar Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve respektivisht Qendra e Numërimit po vazhdon çdo ditë me intensitet të lartë që t’i përfundojë këto procedura të rinumërimit. Prandaj deri tani duket që i gjithë procesi është duke shkuar mbi baza dhe mbi premisa të rregullta sa i përket rinumërimit. Megjithatë ky proces duhet të pritet deri në fund se sa do të jenë rezultatet dhe si do të jetë numri i votave që dëshmohet që nuk janë numëruar drejtë ose janë numëruar me tendencë të manipulimit të tyre” tha ai për “Gazeta Blic”.
Ndërsa sa i përket certifikimit të rezultateve, Bugaqku, tha se krejt procedura varet nga mënyra dhe fakti se sa do të jenë ankesat dhe sa do të marrin kohë ankesat që mund të parashtrojnë kandidatët dhe partitë politike.
“Krejt procedura e shpalljes dhe certifikimit të rezultateve varet nga mënyra dhe fakti se sa do të jenë ankesat dhe sa do të marrin kohë ankesat që mund të parashtrojnë kandidatët dhe partitë politike, së pari ndaj procesit të rinumërimit të votave në QNR dhe pastaj pasi të përfundojnë të gjitha këto procedura palët kanë afat ankese që të ankimojnë edhe vendimin e KQZ-së për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve. Pra të gjitha këto janë procedura që kanë një afat të paracaktuar qoftë të trajtimit të ankesave në PZAP qoftë edhe nëse eventualisht ka për të patur pakënaqësi ndaj vendimeve të PZAP-it, procesi mund të përfundojë edhe në Gjykatën Supreme ” tha Bugaqku për “Gazeta Blic”.
/Gazeta Blic/


