Kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu ka njoftuar se ka vdekur mjeku ferizajas, Milaim Avdiu.
Ai ka shprehur ngushëllime për vdekjen e tij, duke thënë se Avdiu ishte mjek i luftës e luftëtari i lirisë.
“Me dhembje të thellë e pikëllim të pamatë, mora lajmin se pak çaste më parë na dha lamtumirën e fundit, i papërsëritshmi mik, mjeku i shquar ferizajas, mjeku i luftës e luftëtari i lirisë, Dr. Milaim Avdiu”.
“Një peshë e jashtëzakonshme mërzie rëndon mbi zemrat e gjithsecilit që e njohu e bashkë punuan, për kumtin e mortit të Dr. Milaimit, një personalitet që me veprën e tij, është Nderi i Qytetit të Ferizajt, është personifikimi i lavdisë së luftës për çlirim, është shembëlltyra më kuptimplote e fisnikërisë së profesionit, mjek i luftës, luftëtar lirie, mjek i shquar, burrë i rrallë mes nesh, krenari jo vetëm e familjes por e gjithë Ferizajt e më gjerë”, ka shkruar Aliu.
Ai u shpreh se nuk gjen forcë të përçojë dhembjen e humbjes e tij, të cilin e quajti mik të rrallë.
“Lamtumirë Dr. Milaim Avdiu, shembëlltyrë e guximit, sakrificës, lavdisë e krenarisë. Lavdi jetës dhe veprës tënde! Ngushëllime të sinqerta familjes Avdiu, bashkëluftëtarëve, kolegëve të profesionit, miqve e të njohurve të të ndjerit! Dritë pastë, shpirti i tij fisnik”, shkroi Aliu.


