Lajme

Zyra e BE-së reagon pas dështimit të KPK-së të marrë mandatin në mbledhjen konstituive

01/26/2026 18:39
nga:G B

Zyra e BE-së në Kosovë ka shprehur shqetësim serioz lidhur me dështimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për të vendosur funksionet e tij organizative bazë gjatë mbledhjes konstituive të mbajtur më 20 janar 2026.

Shqetësimi është adresuar përmes një letre që Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, i ka dërguar ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, i cili kishte kryesuar mbledhjen konstituive të KPK-së.

Në letrën e tij, Orav thekson se dështimi për të vendosur funksionet themelore të Këshillit është veçanërisht zhgënjyes, duke pasur parasysh se përbërja e re e KPK-së ishte menduar të përfaqësonte një hap kyç në procesin e reformës së sistemit prokurorial. Sipas tij, Këshilli u pengua të marrë mandatin e tij dhe të fillojë punën siç ishte paraparë.

Ambasadori Orav rikujton se Bashkimi Evropian ka mbështetur vazhdimisht reformën e KPK-së, me synim reduktimin e korporatizmit dhe forcimin e përputhshmërisë së sistemit prokurorial me parimet e sundimit të ligjit. Ai thekson se kjo reformë është pritur të zbatohej në mirëbesim dhe me përkushtim të sinqertë ndaj zhvillimit institucional.

Në letër thuhet se Zyra e BE-së ka shprehur edhe më herët shqetësime serioze lidhur me vendime që janë konsideruar proceduralisht të parregullta, madje edhe të paligjshme, duke minuar zbatimin e reformës.

Sipas Orav, një qasje e diskutueshme ndaj udhëheqjes demokratike të Këshillit, nën kryesimin e Qalajt, ka ndikuar drejtpërdrejt në pamundësimin e marrjes së mandatit nga ana e KPK-së.

Si pasojë, sipas ambasadorit të BE-së, është dobësuar legjitimiteti i Këshillit, duke vënë në pikëpyetje kredibilitetin dhe përkushtimin e tij ndaj qeverisjes së ligjshme, transparente dhe të drejtë, si dhe duke ndikuar negativisht në angazhimin e BE-së të bazuar në partneritet me këtë institucion.

Orav i bën thirrje ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit që, në kuadër të rolit dhe përgjegjësive të tij, të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar funksionimin e rregullt të Këshillit, përmes respektimit të plotë të rregullave dhe procedurave ligjore dhe shmangies së çdo praktike që mund të perceptohet si manipulim procedural apo pengesë taktike.

Në fund të letrës, ambasadori thekson se sistemi prokurorial është një shtyllë themelore e sundimit të ligjit dhe se funksionimi i tij i rregullt është thelbësor për zhvillimin demokratik të Kosovës dhe rrugën e saj evropiane.

“Zhvillimi i sistemit prokurorial do të mbetet një angazhim i vazhdueshëm i Bashkimit Evropian dhe një element kyç në vlerësimin e BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë, ndërsa forma e angazhimit të ardhshëm do të varet nga kredibiliteti i KPK-së dhe respektimi i parimeve të qeverisjes së mirë”, u shpreh ai.