Lajme

Komuna e Ferizajt pezullon përkohësisht transportin publik urban në disa linja

01/26/2026 17:54
nga:G B

Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë në Komunën e Ferizajt ka njoftuar se, duke filluar nga data 27.01.2026 (e martë), do të pezullohet përkohësisht transporti publik urban i udhëtarëve në linjat A, A1, B dhe C.

Sipas njoftimit, ky vendim është marrë bazuar në Vendimin nr. 01/18-26 të Kabinetit të Kryetarit, të datës 22.01.2026, ndërsa pezullimi do të zgjasë për një periudhë të pacaktuar.

“Bazuar në Vendimin nr. 01/18-26 të Kabinetit të Kryetarit, të datës 22.01.2026, Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë njofton qytetarët e Komunës së Ferizajt se, duke filluar nga data 27.01.2026 (e martë), pezullohet përkohësisht transporti publik urban i udhëtarëve në linjat A, A1, B dhe C, për një periudhë të pacaktuar”, thuhet në njoftim.

Komuna ka sqaruar se pezullimi i transportit është bërë për shkak të bllokimit të segmentit të rrugës nacionale N2 Prishtinë–Ferizaj–Shkup, brenda kufijve administrativë të Komunës së Ferizajt.

“Pezullimi i transportit publik urban të udhëtarëve është bërë për shkak se Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka njoftuar bllokimin e segmentit të rrugës nacionale (N2) Prishtinë–Ferizaj–Shkup, brenda kufijve administrativë të Komunës së Ferizajt, për shkak të punimeve që po zhvillohen në kuadër të projektit ‘Zgjerimi i rrugës nacionale në hyrje të Ferizajt’”, theksohet më tej.

Sipas Komunës, kjo situatë pamundëson funksionimin e transportit urban, urban-periferik dhe ndërurban.

Autoritetet komunale u kanë bërë thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë alternativa të tjera për lëvizje.

“Apelojmë te qytetarët që, për lëvizje brenda zonës urbane me autobusë, të shfrytëzojnë transportin urban-periferik dhe ndërurban. Ju falënderojmë paraprakisht për mirëkuptimin tuaj”, thuhet tutje në njoftim.