Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykimin dënues për të akuzuarit Hamdi Mavriqi, Labeat Kastrati e Fahri Kajtazi, duke i dënuar me 22 vjet e 5 muaj burgim (së bashku) për rastin e vrasjes së A.M, në vitin 2001 në lokalin Inter Klub” në Prishtinë.
Shpallja e aktgjykimit u bë të hënën nga gjykatësi Agim Kuçi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
I akuzuari Labeat Kastrati u dënua me 11 vjet burgim për veprën penale të “Vrasjes” dhe me 4 vjet burgim për veprën penale “Vrasje në tentativë”. Ndaj tij u shqiptua dënim unik prej 13 vjet e 11 muaj burgim, në të cilin do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.
I akuzuari Fahri Kajtazi u dënua me 4 vjet e 6 muaj burgim për veprën penale “Vrasje në tentativë”, në të cilin do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.
Ndërkaq, i akuzuari Hamdi Mavriqi u dënua me 4 vjet burgim për veprën penale “Vrasje në tentativë”, në të cilin do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.
Po ashtu, gjykatësi Kuçi tha se për të akuzuarin Labeat Kastrati do të caktohet masa e paraburgimit me vendim të veçantë.
Gjykatësi bëri të ditur se armët e përdorura do të konfiskohen, ndërsa sa i përket shpenzimeve të paushallit gjyqësor, obligohen që secili i akuzuar të paguajë shumën prej 100 euro dhe nga 50 euro për Fondin e Kompensimit të Viktimave të Krimit.
Ndryshe, në seancën e rigjykimit të mbajtur më 22 shkurt 2023, tre të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm lidhur me veprat penale që iu vihen në barrë.
Për këtë çështje, Gjykata e Qarkut në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim më 1 dhjetor 2002, ku të akuzuarit Labeat Kastrati, Fahri Kajtazi dhe Milaim Cakaj i kishte shpallur fajtorë, ndërsa të akuzuarin Hamdi Mavriqi e kishte liruar nga akuza. Kastrati ishte shpallur fajtor për veprën penale të vrasjes në tejkalim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme, Kajtazi ishte shpallur fajtor për veprën penale të vrasjes në tentativë, Cakaj për veprën penale të zotërimit, posedimit, kontrollimit dhe shfrytëzimit të paautorizuar të armëve.
Sipas aktgjykimit, të akuzuarit Kastrati dhe Kajtazi ishin dënuar me nga 3 vite burgim (secili veç e veç), ndërsa i akuzuari Cakaj me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë muajsh. Kurse, të akuzuari Mavriqi e Kastrati, me aplikimin e dispozitës së nenit 350 të Ligjit të Procedurës Penale (LPP), janë liruar nga akuza për “Vrasje në tentativë”.
Në këtë rast, prokurori publik kishte bërë ankesë në Gjykatën Supreme, për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së ligjit penal, konstatimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe vendimit mbi dënimin. Po ashtu, ankesë kishte paraqitur edhe mbrojtja e Kastratit, Kajtazit dhe Cakajt.
Ndërsa, më 26 nëntor 2009, Gjykata Supreme, kishte marrë vendim me të cilin ankesa e prokurorit që ka të bëjë me të akuzuarin Milaim Cakaj dhe ajo e mbrojtësve të tij të refuzohen si të pabazuara dhe në këtë pjesë, aktgjykimi i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë i datës 1 shtator 2002, vërtetohet.
Po ashtu, kishte miratuar ankesën e prokurorit publik të Qarkut në Prishtinë dhe mbrojtësve të të akuzuarve Labeat Kastrati dhe Fahri Kajtazi, me ç’rast kishte anuluar aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë të 1 dhjetorit 2002, që ka të bëjë me të akuzuarit Labeat Kastrati, Hamdi Mavriqi dhe Fahri Kajtazi dhe kishte vendosur në këtë pjesë që lënda t’i kthehet së njëjtës gjykatë për rigjykim.
Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 24 qershor 2002, më 17 dhjetor 2001, në “Inter Klub” në Prishtinë, të akuzuarit Fahri Kajtazi, Milaim Cakaj, Labeat Kastrati dhe Hamdi Mavriqi pas disa fjalosjeve- zënkave, sharjeve dhe kërcënimeve, ishin gjuajtur me armë me qëllim që të privojnë nga jeta njëri-tjetrin.
Mirëpo, aktakuza thotë se të akuzuarit Kastrati dhe Mavriqi duke shtënë në drejtim të Kajtazit, një predhë e njërit prej tyre e godet për vdekje tani të nderin A.M, të cilin qytetarët e dërgojnë në Spital, për t’i dhënë ndihmë, ku mjekët e konstatojnë vdekjen e tij.


