Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës (AUV) ka njoftuar opinionin publik për tërheqjen e menjëhershme nga tregu të një serie të produktit ushqimor për foshnje APTAMIL, pas identifikimit të një rreziku serioz për shëndetin.
Sipas njoftimit të AUV-së, përmes Sistemit të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF), është pranuar njoftimi me nr. 2026.0598, i cili konfirmon se në një seri të këtij produkti, i përdorur për qëllime të veçanta mjekësore, është identifikuar prania e substancës Cereulide, e cila paraqet rrezik serioz për shëndetin e foshnjave.
Si rezultat, AUV, në bashkëpunim me kompaninë importuese, ka ndërmarrë masa të menjëhershme për tërheqjen nga tregu të produktit APTAMIL AR 2 – formulë ushqimore për foshnje, paketimi ENG 24 x 400 gramë. Produkti është prodhuar nga Nutricia Infant Nutrition Ireland Ltd. (Danone), ndërsa importues në Kosovë është kompania UNION SH.P.K. nga Vushtrria, njofton zyra për informim e AUV-së.
Agjencia u bën thirrje të gjithë konsumatorëve që posedojnë këtë produkt të mos e përdorin atë dhe ta kthejnë në pikat e shitjes ku e kanë blerë.
AUV thekson se mbetet e përkushtuar në monitorimin e vazhdueshëm të tregut dhe në zbatimin e masave parandaluese dhe kontrolluese, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve në Republikën e Kosovës.


