Ish-ambasadorja e Kosovës në Itali, Alma Lama, ka theksuar rëndësinë strategjike të Italisë në Ballkanin Perëndimor.
Sipas saj, Italia nuk ka pasur kurrë një rol dytësor në rajon dhe vazhdon të jetë një aktor kyç për paqen dhe stabilitetin.
“Mendoj që Italia asnjëherë nuk ka pasur rol dytësor në Ballkanin Perëndimor. Roli i Italisë është jashtëzakonisht i rëndësishëm”, ka thënë Lama në Info Magazine të Klan Kosovës.
“Ata e shohin Ballkanin Perëndimor si një fqinj të parë përballë si një rajon strategjik, ata janë kontribuesit më të mëdhenj me trupa në Kosovë, me trupat e KFOR-it, kanë qenë të tillë vazhdimisht, realisht, dhe pavarësisht se sa artikulohen në politikën e jashtme, Italia ka vëmendje të shtuar në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe kjo vazhdon të qëndrojë, nuk ka lëvizur kjo lloj qasjeje, kjo lloj strategjie, kjo lloj mënyre e trajtimit, në asnjë nga qeveritë që kanë qenë pas përfundimit të Luftës në Kosovë”.


