Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në fjalën e tij gjatë protestës kombëtare, deklaroi se “Edi Rama krekosej me një ftesë formale që Donald Trump u kishte bërë vendeve partnere për Bordin e Paqes”.
“E patë se si Edi Rama e përdori atë ftesë sikur ishte arkitekti i bordit, sikur ishte themeluesi. Por, çfarë ndodhi? Ndodhi që në mbledhjen themeluese të bordit, aty ku u firmos Bordi i Paqes në Davos, Edi Ramën nuk e pranonte salla”, tha Berisha, shkruan A2CNN.
“Sot, shumica e shqiptarëve e kanë të qartë se Edi Rama kryeson organizatën kriminale më të rrezikshme në Europë. Sot, shumica e shqiptarëve e kanë të qartë se Ramaduro është kreu i narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë. Sot, shumica e shqiptarëve e kanë të qartë se Ergys Agasi është Rama i errësirës dhe se Mirlinda e AKSHI-t është simotër siameze e Lindës së Surrrelit. Sot, shumica e shqiptarëve po e kuptojnë se Rama ka bllokuar drejtësinë për të mbrojtur veten, familjarët e tij, pasi ka vjedhur jo miliona, por miliarda. Sot, shumica e shqiptarëve e kanë të qartë se kryehajduti i shqiptarëve nuk ikën nga drejtësia, por ai përmbyset nga zemërimi, revolta dhe vetëm revolta juaj. Mirëpo nëse sot gjendemi në kilometrin e fundit të opozitës tonë, përveç arritjeve tona të deritanishme, edhe për një arsye tjetër, ne do triumfojmë. Dhe kjo arsye është kriza e thellë që Edi Rama po kalon me narkoshtetin që po i shembet përsipër”, shtoi Berisha.


