Lajme

Reagon Ambasada e Zvicrës: Mbështesim aktivitetet informuese të Speciales nga viti 2018, qëllimi është transparenca

01/24/2026 08:32
nga:Sh R

Pas një ligjërate mbi Gjykatën Speciale në shkollën “Xhevdet Doda” në Prishtinë, ambasada e Zvicrës ka dalë me një komunikatë për të sqaruar mbështetjen e saj për Programin e Ndërgjegjësimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Ambasada tha se që nga viti 2018, Zvicra ka mbështetur aktivitetet e ndërgjegjësimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK).

“DHSK u krijua nëpërmjet një marrëveshjeje ndërkombëtare të ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës, duke reflektuar procesin legjislativ të vetë Kosovës dhe mandatin demokratik të institucionit. DHSK është një organ gjyqësor i pavarur. Përmes Zyrës së saj të Ndërgjegjësimit, Dhomat e Specializuara angazhohen me një gamë të gjerë palësh të interesuara për të ndarë informacione të disponueshme publikisht në lidhje me mandatin dhe punën e saj, për të dëgjuar perspektivat e qytetarëve dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve – pa promovuar narrativa specifike”.

Ambasada e Zvicrës tha se programi i ndërgjegjësimit zbatohet në bashkëpunim të ngushtë me organizatat e shoqërisë civile, të cilat ndihmojnë në “lehtësimin e dialogut dhe inkurajimin e debatit të informuar publik mbi çështje me interes publik”.